Transmetuar më 26-09-2020, 11:08

Këshilli i Lartë Gjyqësor, vendos të propozojë emërimin tre kandidatëve, të cilët u emëruan si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë me dekret të Presidentit të Republikës.

Këshilli, pas një pune voluminoze për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse, hapi procedurat për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për tre pozicione të lira, në fusha të ndryshme të së drejtës. Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të propozojë emërimin e 3 kandidatëve, të cilët u emëruan si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë me dekret të Presidentit të Republikës.

Ndërkohë, ende pa përfunduar procedurat e mësipërme, Këshilli hapi procedurën për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, edhe për një pozicion tjetër të lirë. Për këtë pozicion, Këshilli po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për kandidatin.

Me qëllim plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë, Këshilli njofton se ka miratuar kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, duke hapur më pas procedurat e ngritjes në detyrë për 11 pozicione të lira, nga të cilat 4 pozicione në fushën e të drejtës administrative, 3 pozicione në fushën e të drejtës civile dhe 4 pozicione në fushën e të drejtës penale. Për këto pozicione kanë aplikuar 23 kandidatë, për 21 prej të cilëve, Këshilli ka verifikuar plotësimin e tre kritereve ligjore të kandidimit dhe po vijon procedurat për verifikimin e kritereve ligjore të pasurisë dhe figurës, duke vijuar paralelisht procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Për 2 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi i këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Ndërkohë, për të 23 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 2 prej tyre ky verifikim ka përfunduar, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës. Për 8 kandidatë të tjerë, verifikimi i pasurisë dhe figurës është në përfundim, ndërsa rezultatet e tij do të shqyrtohen në mbledhjet më të afërta. Për 6 kandidatë, që janë subjekt rivlerësimi kalimtar (vetting), u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Këshilli, përveç procedurave për plotësimin e pozicioneve të lira në Gjykatën e Lartë, vijon punën për plotësimin me gjyqtarë të gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke shpallur në total në nivel apeli 20 pozicione të lira, nga të cilat 12 pozicione në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, 2 pozicione në Gjykatën Administrative të Apelit dhe 6 pozicione në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Për pozicionet e lira të shpallura në gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm dhe në Gjykatën Administrative të Apelit, kanë aplikuar gjithsej 20 kandidatë, ndërsa për tre nga pozicionet e shpallura të lira në Gjykatat e Apelit Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër nuk ka pasur asnjë kandidat, shkak për të cilin procedurat e ngritjes në detyrë janë rihapur. Procedura për verifikimin e tre kritereve ligjore të kandidimit ka përfunduar për të 20 kandidatët, ku për 15 prej tyre Këshilli ka marrë vendim për verifikimin e tre prej kritereve ligjore të kandidimit, duke vijuar paralelisht me procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Për 5 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Ndërkohë, për të 20 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 13 kandidatë, që janë subjekt rivlerësimi kalimtar, u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Në procedurat për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga 6 pozicione të lira të shpallura, ka patur aplikime për vetëm 4 prej tyre, në total 4 kandidatë. Për dy pozicionet e mbetura, procedurat janë rihapur. Për të 4 kandidatët janë verifikuar katër kriteret ligjore të kandidimit, duke vijuar paralelisht me procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Ndërkohë, për të 4 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 1 kandidat ky verifikim ka përfunduar, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Për 2 kandidatë të tjerë, verifikimi i pasurisë dhe figurës është në përfundim, ndërsa rezultatet e tij do të shqyrohen në mbledhjen më të afërt. Për 1 kandidat, që është subjekt rivlerësimi kalimtar, u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Në lidhje me plotësimin e pozicioneve të lira në gjykatat e shkallës së parë, Këshilli ka hapur procedurat për ngritjen në detyrë pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Nga 6 pozicione të lira të shpallura në këtë gjykatë, ka patur aplikime për vetëm 2 prej tyre, në total 2 kandidatë. Për katër pozicionet e mbetura, procedurat e ngritjes në detyrë janë rihapur. Kandidatët janë verifikuar për katër kriteret ligjore të kandidimit, duke vijuar paralelisht me procedurat e vlerësimit etik dhe profesional. Ndërkohë, për të 2 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, njëkohësisht subjekte rivlerësimi kalimtar, prandaj u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.

Këshilli ka miratuar aktet nënligjore që plotësojnë skemën e vlerësimit të gjyqtarëve dhe gjithashtu përcaktojnë rregulla për procedurën e përcaktimit të nivelit të vlerësimit për gjyqtarët që kanë kaluar procesin e rivlerësimit kalimtar me vendim të formës së prerë, i përcaktuar si prioritet për vitin 2020. Tashmë, Këshilli ka filluar me intensitet të dy procedurat, si atë të vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) për gjyqtarët të cilët kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, ashtu edhe procedurën e përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, për kandidatët e verifikuar, të cilët kanë ushtruar funksionin e gjyqtarit në periudhën e vlerësimit që përfshin vitin kalendarik 2019.

Gjithashtu, sa i përket plotësimit të pozicioneve të lira në gjykatat e shkallës së parë, Këshilli thotë se i kushton vëmendje të veçantë emërimit dhe caktimit në detyrë të kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që kanë përfunduar studimet pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga 19 kandidatë të diplomuar, për 17 prej tyre ka përfunduar procesi i verifikimit të pasurisë dhe figurës, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës. Për 2 kandidatët e tjerë, verifikimi është drejt përfundimit, ndërsa pritet marrja e një informacioni nga Prokuroria e Përgjithshme.

“Pavarësisht kohës së shkurtër në dispozion të tij, Këshilli është impenjuar për përfundim në kohë të verifikimit të pasurisë dhe figurës për 40 kandidatët fitues në programin e formimit fillestar për magjistrat, profili gjyqtar, në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa viti akademik fillon javën e parë të muajit tetor. Lidhur me këtë, është grumbulluar pjesa më e madhe e dokumentacionit të verifikimit, ndërsa priten informacionet nga tre institucione publike. Me administrimin e të gjithë dokumentacionit të kërkuar nga ligji, rezultatet e verifikimit të pasurisë dhe figurës për secilin kandidat do të shqyrtohen menjëherë në mbledhje të veçanta të Këshillit”, thuhet më tej.

Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron opinionin publik se do të vijojë punën intensive dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, që pavarësisht vështirësive, të përfundojë sa më parë procesin e plotësimit të vendeve të lira në sistemin gjyqësor, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi. /a.y/noa.al