Transmetuar më 25-09-2020, 22:37

Për shkak edhe të tensioneve me Turqiqë, çështja e rihapur e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë vijon të mbetet një nga diskutimet më të nxehta të politikës shqiptare, por edhe asaj rajonale.

Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ftuar sonte në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, është pyetur nga Arian Çani se kë do të zgjidhte, Greqinë apo Turqinë, nëse do të ishte në vend të Kryeministrit Edi Rama.

Ai foli edhe për situatën politike në vend, duke u shprehur se të gjitha sondazhet nxjerrin opozitën fituese, ndërsa pretendoi se për këtë arsye Rama, i tmerruar nga humbja, i është shmangur një përballje të mundshme me Bashën, në Durrës.

Fillimisht Berisha foli mbi çështjen e detit. Ai tha se vendi ynë duhet të synojë bashkëpunime me të dyja këto shtete, por në fund të fundit, ai do të zgjidhte interesin e Shqipërisë.

“Charles de Gaulle ka lënë një postulat epik: Secili kryqin e tij! Do zgjidhja Shqipërinë dhe interesat e saj. Natyrisht fqinj të respektuar e të gjitha, por Shqipëria është një vend i cili duhet të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të dyja këto vende”.

“Dhe të uroj që problemi që është problem prej shumë dekadash, që u acarua me problemin e Qipros. Kemi firmosur një marrëveshje dhe i kam qëndruar gjithnjë. Të imagjinohet se Shqipëria do anësojë kundër Greqisë apo Turqisë, kjo nuk mund të imagjinohet. Shqipëria do mbajë një qëndrim në përputhje me interesin e saj kombëtar. Shqipëria uron që këto të zgjidhin konfliktin nëpërmjet dialogut. Tani është pala greke që thotë le t’i referohemi gjykatës për zgjidhjen e problemit”, – tha Berisha.

Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë në Athinë, tha se Presidenti turk Erdogan nuk e urren Greqinë ndryshe nga ç;pretendohet dhe pranoi miqësinë me kreun e shtetit turk.

Berisha tha se, “po të isha Kryeministër unë, çështja e detit nuk ekzistonte. Sepse dy qeveri greke njëra pas tjetrës, njëra e PASOK tjetra e Neo Demokracisë, të dyja pranuan të shkojnë në gjykatë. Dhe erdhi Edi Rama dhe tha jo nuk shkoj në gjykatë”.

“Ne lidhëm marrëveshje, e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Pala greke më kërkoi ta rinegociojmë. Jo i thashë unë nuk rinegociohet, se gjykata diktonte metodën për të arritur marrëveshjen”.

“Ka qenë vendim totalisht i diktuar nga Edi Rama dhe pala tjetër. Asgjë s’ka ndryshuar në raport me detin për qëndrimin tim”, – theksoi Berisha.

Ish-kryeministri Sali berisha foli edhe mbi situatën politike në vend. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se ndryshe nga pretendimet e ditëve të fundit, do të kandidojë në të njëjtin qark, si në dy mandatet e fundit, dhe jo në Durrës.

Sipas Berishës, Rama u largua nga Durrësi dhe shkoi për kandidim në Vlorë menjëherë sapo mori vesh që në atë qytet do kandidonte edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Po ashtu ish-kryeministri tregoi edhe se Rama ka zhvilluar një takim me Lefter Kokën dhe Endrit Doklen, ku këta të fundit i kanë thënë se “është i pashpresë”.

“Rama po bën atë që bën udhëheqësi i Taxhikistanit, Moduro i Venezueles dhe disa afrikanë që ndryshojnë kushtetutën për të qëndruar në pushtet. Rama po përpiqet të grabisë mandate me Kushtetutë”, – theksoi Berisha.

“Në të gjitha sondazhet  që bëhen ai del i fundosur. Iku nga Durrësi se mori vesh që do shkonte Basha. Shkoi në Vlorë. Iku nga Durrësi se bëri një takim me Lefter Kokën, Indrit Doklen dhe nuk ia morën përsipër. I thanë je i pashpresë. Sot shpalli dhe u kthye në Vlorë”, – theksoi ish-kryeminsitri Sali Berisha.

/NOA.al