Transmetuar më 24-09-2020, 17:14

Arben Skënderi, violinisti dhe artisti i njohur, ka reaguar lidhur me propozimin e ministres së Kulturës, Elva Margariti që edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të shkëputet nga varësia nga shteti.

“Opera, i vetmi identitet europian perëndimor që ka arti ynë”, – thotë ai.

“Ja ku erdhi dita, dhe plani i dy dekadave më parë vazhdon…!”

“Pasi mbaruan punë me Teatrin Kombëtar, tani vjen privatizimi i Teatrit të Operes…!”

“Më pas, do merren me Universitetin e Arteve e për ta përmbyllur me orkestrën e RTSh-së”.

“O e kthejnë  në kulturë mejhanesh këtë vend o plasin…”, tha reagimin e tij Skënderi.

Reagimi i Arben Skënderit vjen pas lajmit se ministrja e Kulturës Elva Margariti ka propozuar që “Opera të shkëputet nga shteti.”

Gjatë prezantimit të analizës së performancës katërvjeçare nga Zana Çela, ministrja e Kulturës Elva Margariti propozoi që edhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të shkëputet nga varësia nga shteti.

Ajo shprehet, se ky institucion i saporikonstruktuar le të jetë i pari që do t’i jap jetë kësaj konkurrence në vendin tonë.

“TKOB, siç tha dhe drejtoresha Zana Çela, duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie nga shteti. Në asnjë vend tjetër, jo vetëm në Europë, por dhe në kontinente të tjera nuk gjejmë formula të tilla”.

“Besoj se është momenti me një investim të tillë, që ka bërë qeveria shqiptare, me një rrugë tashmë të hapur dhe infrastrukturë të shtuar që të fillojë dhe të ndryshojë totalisht mendësia e konkurrencës në të gjithë territorin kombëtar dhe kjo pse jo le të jetë shtëpia e parë, që kjo konkurrencë të nis dhe të marr jetë”, shprehet gjatë këtij takimi Elva Margariti, ministrja e Kulturës.

Ndonëse drejtoreshës me mandat të përfunduar nuk dihet ende nëse i është rinovuar kontrata, në kushte të tilla pritet që për të ardhmen e këtij institucioni të restauruar nga taksapaguesit shqiptarë me më shumë se 1.2 miliardë lekë, që ka qenë në varësi të shtetit për rreth 65 vjet, me buxhet-vjetor rreth 295 milionë lekë, edhe ku ushtrojnë artin e tyre 250 persona (artistë edhe administrata), fjalën e tij në të ardhmen, pse jo ta thotë dhe privati.

Siç ka ndodhur dhe po ndodh me të gjitha objektet kulturore, përfshirë edhe Butrintin, që po jepet me koncension.

/NOA.al