Transmetuar më 17-09-2020, 21:00

Duke pasur gjithmonë në mendje shprehjen, “Kurrë mos vendosni mbi lëkurë diçka që nuk do ta hanit”, ne po ju japim disa këshilla tepër të vlefshme.

Për një lëkurë të butë dhe të pastër si të një fëmije, për prekje mbresëlënëse dhe të paharrueshme, n duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë lëkurës!

Duke qenë se lëkura e fytyrës vazhdimisht grumbullon papastërti, edhe pastrimi dhe kujdesi ndaj saj, duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt. Është e rëndësishme të theksojmë se kujdesi ndaj saj, duhet të jetë sa më natyral dhe produktet të jenë delikate, pa përbërës kimikë dhe sintetikë.

Rituali i zakonshëm:

Përveç sapunit që të gjithë e dimë se duhet përdorur 2 herë në ditë (larje me ujë të ftohtë edhe në dimër), lëkura do edhe përkujdesje të tjera.

Lëkurat e thata dhe të yndyrshme, janë më problematike se lëkura normale, rrjedhimisht duan më shumë kujdes. Hapi i parë (pas sapunit) është skrabi.

Në mënyrë që lëkura të jetë sa më e gatshme për t’u pastruar nga pikat e zeza dhe njollat, duhet të jetë pastruar më parë nga shtresa e qelizave të vdekura që e pengojnë lëkurën për proceset e tjera të pastrimit dhe ushqyerjes.

1.Skrabi duhet bërë 2-3 herë në javë, për lëkurat e yndyrshme, 2 herë në javë për lëkurat e thata, 1 herë në javë për lëkurat normale (skrabi duhet bërë me delikatesë, pa ushtruar forcë, duke e punuar me lëvizje rrethore, në të gjithë fytyrën). Skrabi eliminon toksinat nga lëkura, qelizat e vdekura dhe papastërtitë e sipërfaqshme, të cilat e bëjnë lëkurën të duket pa jetë, e vrazhdë dhe e plakur. Përveç kësaj, qelizat e vdekura bllokojnë poret, duke mos e lënë atë të ajroset siç duhet, madje as të lahet siç duhet me sapun. Pra, është një hap i domosdoshëm. Pasi është hequr shtresa me qeliza të vdekura, lëkura është më e gatshme të pastrohet dhe ushqehet në thellësi.

2.Avulli i cili duhet bërë të paktën një herë në muaj, (avulli duhet bërë pas skrabit, siç shpjeguam më lart). Ky ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe në pastrimin e pikave të zeza. Skrabi dhe avulli, ndihmojnë edhe në pakësimin e akneve apo puçrrave. Shtoni vaj esencial të livandës dhe sherbelës që avulli të jetë më i efektshëm për pikat e zeza, ose vaj esencial rozmarine që avulli të jetë më çlodhës, për lëkurat e stresuara.

Kujdes! Avulli nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta.

3.Pas skrabit, avullit, maskës, rituali përfundohet me masazh fytyre. Për masazh duhet patjetër vaj bajamesh të ëmbla, lajthie ose kokosi, të cilat ndihmojnë në mbylljen e poreve dhe, në raste më problematike, kokosi vazhdon pastrimin e pikave të zeza duke i nxjerrë ato më në sipërfaqe. Kështu do ta keni më të lehtë pastrimin e pikave të zeza me një tampon pambuku. Pra, masazhi me vajra, ndihmon në pastrim edhe më të thellë, tkurrje poresh, tonifikim të lëkurës dhe ushqim të vazhdueshëm të saj.

Këshilla të tjera të specialistëve, janë këto:

1.Kur zgjidhni produktet për fytyrën, lexoni mirë përmbajtjen e tyre në etiketë. Nëse etiketa përmban dhjetëra emra kimkatesh të cilat as nuk i njihni, bëni mirë të mos e blini.

2.Kur vendosni të blini, atëherë duhet që të gjitha produktet të jenë të paktën të një linje. Nuk është mirë që kremi i ditës të jetë linjë tjetër, kremi i natës nga një tjetër, pastruesi i tjetër linje, e kështu me radhë.

3.Mos bëni skrab, avull e pastrime më tepër se ç’duhet, sepse e dëmtojnë lëkurën.

4.Përmbajtjet agresive, shmangini plotësisht.

5.Masazhojeni fytyrën çdo natë para se të flini. Kjo do të ndihmojë, jo vetëm për një gjumë të qetë, por edhe për të mbajtur fytyrën në formë.

6.Mos e prekni lëkurën gjatë ditës me duar të papastra, duart mbajnë shumë mikrobe të cilat e “sëmurin” lëkurën e fytyrës.