Transmetuar më 07-09-2020, 20:59

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, nuk do të përfshihet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Edhe pse nga Kosova, ajo ka marrë nënshteësi shqiptare, por tha se për këtë vendim e ka njoftuar edhe kryeministrin Edi Rama.

Në një në intervistë  për “Euronews Albania”, ministrja tha se ky vendim ishte i vështirë, por është marrë pasi ka vendosur që të largohet përfundimisht nga Shqipëria. – “I kam thënë kryeministrit të shërbej për sa kohe sa jam vlerë për ndërtimin e politikave arsimore dhe zbatimin e tyre”, tha ministrja Shahini, duke zbuluar se pas largimit nga posti i ministres, do të largohet edhe nga Shqipëria.

Çfarë ndjesie ju jep të jeni në qendër të punës, por edhe diskutimeve për t’i larguar nga qeveria?

Këto janë diskutime normale kur jemi futur zyrtarisht në vit parazgjedhor. Këtu reflektohen të gjitha deshirat, vullnetet, ambiciet brenda partisë dhe besoj se kjo është e shëndetëshme. Kjo tregon që është një parti dinamike.

Mendoni që dalin nga partia këto zëra për largimin tuaj?

Unë besoj që dalin nga gjithandej. Është një diskutim që nuk ndodh vetëm për PS, por ndodh për të gjitha partitë, por është e rëndësishme për ne tani për shkak se jemi duke qeverisur.

A është e vërtetë që do të ketë një largim tuajin?

Unë tashmë kam njoftuar edhe kryeministrin Rama që kam marrë një vendim. Nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati, rrjedhimisht nuk do të përfshihem në zgjedhje. Ishte një vendim i vështirë për shkak se mua më pëlqen angazhimi politik dhe se unë e adhuroj Shqipërinë.

Mund ta dimë pse e keni marrë këtë vendim?

Jeta ime është pakëz e paqëndrueshme në Shqipëri. E gjithë familja ime jeton në Kosovë dhe përkundër afrimit që kemi bërë prapë jemi dy shtete të ndara. Në këto momente kur ka këto probleme prapëseprapë e sheh se nëse jeton me familjen larg është pak e vështirë të mirëmbahet puna që është mbingarkesë e madhe.  I kam thënë kryeministrit të shërbej për sa kohe sa jam vlerë për ndërtimin e politikave arsimore dhe zbatimin e tyre.

/NOA.al