Transmetuar më 04-09-2020, 19:49

Në tekstin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, që është bërë publike në mediat e Kosovës, në krye të saj bie në sy fakti se dy shtetet nuk quhen “Republika”, por thjesht Kosova dhe Serbia, ndërsa në kllapa janë emrat e dy kryeqyteteve, kjo ndoshta nga kërkesa serbe që ende nuk e njeh Prishtinën zyrtare.

Thelbi i marrëveshjes së shumëpërfolur nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit Donald Trump, synon normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

Pika e parë e marrëveshjes ka të bëjë me ndërtimin e një autostrade Beograd-Prishtinë, projekt i diskutuar edhe më herët.

“Përveç kësaj, të dyja palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës Beograd-Prishtinë, me një port të thellë në detin Adriatik”.

Nuk jepen detaje rreth portit, por më herët është folur për Shëngjinin.

Të dyja palët do të bashkohen në një mini-shengen ballkanik, ku bën pjesë, edhe Shqipëria, ndërsa do të njohin reciprokisht diplomatët dhe certifikatat profesionale.

Marrëveshja thekson gjithashtu se dyja palët bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë së SHBA-së

“Të dy palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë të SH.B.A.-së dhe subjekte të tjerë të përshtatshme të qeverisë amerikane për një studim fizibiliteti për qëllimet e ndarjes së Liqenit të Gazivodës/Ujmanit si furnizim i besueshëm i ujit dhe energjisë”, – thekson marrëveshja.

Hoti pranon Shengenin Ballkanin pas marrëveshjes me Serbinë

Pas marrëveshjes ekonomike që i nënshkrua sot në Uashington, me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se ajo është një hap shumë i rëndësishëm drejt njohjeve reciproke.

“Ta shohim këtë marrëveshje si hap të madh drejt marrëveshjes së madhe me njohje reciproke. Kjo marrëveshje nuk është vetëm e kësaj qeverie, por është marrëveshje e popullit të Kosovës”, u shpreh Hoti.

Për Minishengenin Ballkanik ai tha se i është kërkuar nga Trump që Kosova të jetë pjesë.

“Sa i përket Minishengenit, ne besojmë se destinacioni jonë përfundimtar është integrimi në BE dhe liberalizimi i vizave. Na është kërkuar nga Trump që të bëhemi pjesë e kësaj nisme dhe ne e kemi pranuar”, tha Hoti, duke shtuar se marrëveshja nuk kërkon ratifikim në Kuvend.

Vuçic qetëson serbët pas marrëveshjes: Nuk pranova njohjen e  Kosovës

Pas marrëveshjes, Presidenti serb Aleksnadr Vuçiç tha se serbët mund të qëndrojnë të qetë pasi Kosova nuk u njoh pas marrëveshjes.

Më tej ai thotë se kjo është një marrëveshje triumfale për Serbinë dhe shprehet i kënaqur për punën e delegacionit të tij për atë çfarë u arrit.

Po ai zbulon se shqiptarët janë vetofruar që të nënshkruajnë gjithçka, nëse Serbia do të firmoste për pikën 10, që ishte njohja reciproke.

“Shqiptarët thanë se do të nënshkruanin gjithçka nëse kthehej pika 10. Nuk ka njohje të ndërsjellë, serbët mund të qëndrojnë të qetë. Kur bëhet fjalë për Mini Schengen, ata kishin disa kundërshtime, ata u përzien me Shengenin, as ne dhe as amerikanët nuk e kuptuam vërtet”, u citua Vuciç të jetë shprehur për mediat serbe.

“Kjo është një marrëveshje e mirë për Serbinë, do të tingëllojë triumfale nëse them urime, por unë jam sinqerisht i kënaqur dhe të gjithë anëtarët e delegacionit, me atë që kemi arritur,” – tha Vuçiç.

/NOA.al