Transmetuar më 04-09-2020, 17:36

U zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Uashington.

Pamjet e para, tregonin një sallë me katër flamuj të SHBA-së, por pa ato të Kosovës dhe Serbisë.

Mbi tavolinë ndodheshin marrëveshjet që u firmosën nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

I pranishëm gjatë firmosjes së marrëveshjes ishte edhe Presidenti amerikan, Donald Trump.

Sipas "Associated Press", Serbia dhe Kosova njoftuan se kanë normalizuar bashkëpunimin e tyre ekonomik, si pjesë e diskutimeve të ndërmjetësuara nga SH.B.A.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh që duhet të çojë në njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve. Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka ende shumë dallime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se gjatë takimit, ishin paraqitur projekt-propozime që përfshinin njohjen e ndërsjellë dhe se ai e kishte refuzuar një gjë të tillë, ndërkohë që kryeministri Avdullah Hoti nuk u përgjigj nëse një gjë e tillë ishte propozuar por tha se “marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk ka ardhë dhe nuk do të vijë nga Shtëpia e Bardhë”. Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë, pasi një gjë të tillë e tha fillimisht për mediat, Ministri serb i Financave, Sinisa Mali.

Pala serbe tha se kërkesa për njohjen e ndërsjellë ishte shtruar si një nga pikat e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet ndërmjet të dyja vendeve.

“Ai dokument ishte shumë i rëndë, kishte 15 apo 16 pika dhe një prej tyre ishte për njohjen e ndërsjellë. Unë e refuzova. Nuk është asgjë e re sepse kjo është politika amerikane, vetëm se ne thamë që ajo pikë nuk duhet të jetë në dokumentin për stabilizimin ekonomik. Nga kabineti i Trumpit u treguan “fer” dhe na dëgjuan. Në dokumentet tjera kjo pikë nuk është më”, tha presidenti serb.

Zoti Vuçiç tha pas takimit për shërbimin serb të Zërit të Amerikës se “kishte disa vështirësi politike për ne por mendoj dhe shpresoj që i kemi kapërcyer ato dhe vazhdoj të shpresoj që ta arrijmë një marrëveshje nesër.” “Nëse më pyesni mua nëse Serbia do të pranojë njohje të ndërsjellë që ishte përmendur në disa projekt-propozime, kjo nuk do të funksionojë për Serbinë”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte kërkuar njohjen nga Serbia, Kryeministri i Kosovës, Hoti u përgjigj:

“Për çdo gjë që flasim me Serbinë, qëllimi ynë është njohja reciproke. Sot kemi bërë një hap të madh në drejtim të përafrimit”, tha ai.

Zëri i Amerikës ndoqi më herët të enjten më herët një paraqitje të ministrit serb Sinisha Mali, i cili tha se palëve u është dorëzuar një dokument ku përfshihet një pikë që parashikon njohjen e ndërsjellë.

“Temat ekonomike nuk janë kryesoret, siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është paraqitur flet për njohjen e ndërsjellë, ndërsa të gjitha 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike”, tha ai.

“Ky është propozimi më i keq që kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët e Kosovës. Por ne nuk do të heqim dorë dhe do të luftojmë”, tha ministri serb.

Ai tha se po ushtrohet trysni mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte paralajmëruar se mund të ketë “befasi gjatë takimit”.

Bashkëpunimi ekonomik

Ndërkohë, Këshilli për Siguri Kombëtare shkroi se pati “bisedime shumë të mira këtë pasdite me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Zoti Vuçiç shfaqi shpresën se mund të arrihet marrëveshje për çështje ekonomike, projekte të infrastrukturës, lidhjet ndërmjet Beogradit e Prishtinës që siç tha, do të ishin në të mirë të serbëve në Kosovë, të shqiptarëve dhe të gjithëve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, për të cilat i diskutua të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti.

Edhe presidenti Vuçiç tha se shpreson në një marrëveshje për tema të interesit të përbashkët.

Kosova dhe Serbia biseduan sot në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para takimit ishte thënë se bisedimet do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret për zgjidhjen politike.

Më herët gjatë ditës ambasadori Grenell, shkroi se populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe shansin për të krijuar një ekonomi të zhvilluar. Në një postim në rrjetin twitter ai tha se “sot është i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me perëndimin. Le ta lëmë mënjanë politikën”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha para se të fillonte takimi se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohjen e ndërsjellë, ndërsa presidenti serb, tha se pret takim të vështirë, por “dorëzimi nuk është një opsion”.

Nga marrëveshja Beogradi zhvendos ambasadën e tij në Izrael.

Pas dy ditë takimesh me zyrtarë të administratës Trump, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ranë dakord të bashkëpunojnë në një sërë fushash ekonomike, për të tërhequr investime dhe për të krijuar vende pune.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë siguroi se Presidenti Donald Trump arriti një fitore diplomatike përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, si dhe në përpjekjen për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtar të Izraelit.

"Me të vërtetë, është historike", tha Trump, duke qëndruar përkrah dy udhëheqësve në Zyrën Ovale. "Unë pres që dy vendet të bashkëpunojnë në një të ardhme jo shumë të largët".

President Trump just announced a historic breakthrough between Serbia and Kosovo!

Publiée par The White House sur Vendredi 4 septembre 2020

Vendimi i Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jeruzalem është një shenjë pozitive për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe zhvendosi ambasadën e SHBA atje, në maj 2018.

Administrata ka inkurajuar vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë, por është kritikuar gjerësisht nga palestinezët dhe shumë vende në Evropë, sepse konflikti Izraelito-Palestinez mbetet i pazgjidhur. Kosova, një vend kryesisht mysliman, sipas AP, ende nuk e ka njohur kurrë më parë Izraelin dhe as Izraeli nuk e ka njohur Kosovën.

Parlamenti i Kosovës deklaroi pavarësinë nga Serbia në 2008, nëntë vjet pasi NATO zhvilloi një fushatë sulmi ajror 78-ditor kundër Serbisë, për të ndaluar luftën e përgjakshme kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë.

Shumica e kombeve perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por Serbia dhe aleatët e saj, si Rusia dhe Kina nuk e kanë njohur ende atë. Ngecja e vazhdueshme dhe mosgatishmëria e Serbisë për të njohur Kosovën i kanë mbajtur tensionet të larta në stabilizimin e plotë të rajonit të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme në vitet 1990.

"Ne nuk mund të pranojmë asnjë dokument që përfshin pavarësinë e Kosovës dhe kjo është fundi i plotë," u tha Vuçiç gazetarëve pas takimeve të Enjten në Shtëpinë e Bardhë.

Serbia dhe Kosova kanë tashmë marrëveshje ajrore, hekurudhore dhe tranzit, përfshirë edhe atë që do t’i hapte rrugën fluturimit të parë midis Prishtinës dhe Beogradit, në 21 vjet. Marrëveshja e re përfshin shumë fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik. Udhëheqësit e biznesit në të dy kombet kanë qenë të zhgënjyera dhe kanë biseduar mes tyre rreth mënyrave për të nxitur investime jashtë bisedimeve të vazhdueshme politike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

"To embark on these talks and to come to Washington to finalize these commitments—by doing so … they've made the world safer."

Publiée par The White House sur Vendredi 4 septembre 2020

Të hënën, Vuçiç dhe Hoti kanë planifikuar të shkojnë në Bruksel për të zhvilluar bisedime nën kujdesin e shefit të politikës së jashtme të BE Josep Borrell, si dhe të dërguarit special për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajcak.

Takimi i Shtëpisë së Bardhë ishte planifikuar fillimisht për në qershor, por ai u anulua pasi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili do të drejtonte asokohe delegacionin e Kosovës, kur u padit për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare.

/NOA.al

NOA.al