Transmetuar më 03-09-2020, 22:19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë mbyllur takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti deklaroi për mediat se nesër pritet të finalizohet diskutimi që kanë pasur delegacionet e shteteve gjatë dialogut në Uashington.

“Jemi takuar me O’brien dhe Grenell. Kishim një takim me presidentin serb gjithashtu. Nesër presim të finalizojmë këtë diskutim që patëm sot”, është shprehur Hoti.

Më tej Hoti u shpreh i bindur se nuk ka marrëveshje të dëmshme që propozohet nga Shtëpia e Bardhë.

“Një gjë mund t’iu them që marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë”, ka thënë Hoti.

“E kemi bërë një progres në çështjet ekonomike dhe kemi bërë një hap të madh”.

Gjithashtu, Hoti deklaroi se nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e diskutimit të territoreve.

“As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Hoti.

“Ju nesër do të shihni marrëveshjen sepse kështu është diskutuar”, shtoi më tej.