Transmetuar më 02-09-2020, 08:05

Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arritën në fund të korrikut vlerën rekord të 147 milionë eurove.

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se rezervat e arit janë rritur me 73% krahasuar me një vit më parë. Rritja e vlerës së arit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i investimeve të bankës qendrore në këtë instrument, por edhe nga rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në intervalin kohor korrik 2019-korrik 2020 vlera e arit është rritur me rreth 32% dhe ky ka rezultuar fitimprurës si instrument i investimit të rezervës valutore të vendit. Aktualisht, një onz ar kuotohet në vlerën e 206 mijë lekëve ose rreth 1660 eurove.

Kriza e Covid-19 dhe “përmbytja” e tregut me likuiditet për të ndihmuar ekonominë kanë rritur kërkesës për metale të çmuara, që perceptohen nga investitorët si asete më të sigurta për ruajtjen e vlerës në kohëra krizash.

Ari monetar përbën tashmë 3.6% të rezervës valutore të vendit, ndërsa në muajin maj kishte arritur peshën më të lartë specifike të regjistruar ndonjëherë, me 3.9% të totalit. Pas rritjes së fortë të rezervës valutore nga fondet e eurobondit në muajin qershor, pesha specifike e arit pësoi një rënie të lehtë.

Eurobondi bëri që rezerva valutore e vendit që në mesin e këtij viti të kalonte për herë të parë kufirin e 4 miliardë eurove. Në fund të korrikut, vlera e mjeteve të rezervës ishte 4.12 miliardë eurove ose afërsisht sa 32% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shumë është gati katër herë sa deficiti i llogarisë korente të vitit të kaluar.

Megjithatë, rritja në nivele kaq të larta pritet të jetë e përkohshme, pasi një pjesë e eurobondit do të përdoret për shlyerjen e atij të vitit 2015, që maturohet në vjeshtë, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret në funksion të programit të rindërtimit dhe mbulimit të deficitit buxhetor, shkruan ‘monitor’.

Në harkun e pesë viteve të fundit, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është zgjeruar me 56%. Rritja është bërë kryesisht përmes blerjes së valutës në tregun e brendshëm. Rezerva valutore ka si qëllim kryesor plotësimin e nevojave emergjente të ekonomisë për valutë, por edhe zbutjen e goditjeve eventuale që mund të cënojnë stabilitetin financiar të vendit.