Transmetuar më 25-08-2020, 08:10

Për shumat e parave që do të transferohen jashtë nga individët dhe personat juridikë nga institucionet financiare, përveç të dhënave të dërguesit do të kërkohen edhe të dhëna për përfituesin e trasaksionit. Ministria e Financave ndryshoi procedurat për gjurmimin e transferimit të parave jashtë vendit, ku tashmë transfertat ndërkufitare duhet të shoqërohen jo vetëm me informacion për dërguesin, por edhe me të dhënat e përfituesit.

Ndryshimet kanë për qëllim të forcojnë masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit.

Udhëzimi me ndryshimet për metodat dhe procedurat e raportimit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u botua në Fletoren Zyrtare. Në të parashikohet që për kryerjen e shërbimit të parave jashtë vendit institucionet financiare përveç të dhënave të dërguesit do të kërkojnë të dhëna edhe për përfituesin, si: emrin, mbiemrin, e përfituesit kur është individ; emërtimin, kur dërguesi është person juridik dhe numrin e llogarisë që përdoret për trasaksione dhe një numër unik të referencës së transaksionit që lejon gjurmueshmërinë e tij.

Udhëzimi i ndryshuar

Neni 10

Ishte

Shërbimet e transferimit të parave ose të vlerave

Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, duhet të kërkojnë nga institucionet financiare nga ku dërgohen transferta të dhëna për dërguesin, nëpërmjet formularit që shoqëron transfertën, i cili duhet të përmbajë:

– emrin dhe mbiemrin;

– numrin e dokumentit të identifikimit ose numrin e llogarisë së dërguesit dhe në mungesë të tij numrin unik të referencës;

– emrin e institucionit financiar nga ku niset transferta;

– përshkrimin e transfertës/dërgesës.

Nëse subjektet që kryejnë transferta parash ose vlerash, për të cilat nuk arrijnë të sigurojnë informacionin bazë sipas pikës 1 të këtij neni, subjektet refuzojnë pranimin e transfertës dhe ia raportojnë këtë rast autoritetit përgjegjës menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë.

Bëhet

Subjektet, veprimtaritë e të cilëve përfshijnë transferta parash ose vlerash, duhet të sigurohen që transfertat ndërkufitare elektronike të jenë të shoqëruara gjithnjë me të dhëna si më poshtë: a) Informacion i kërkuar dhe i saktë për dërguesin: emrin dhe mbiemrin e dërguesit kur është individ; emërtimin, kur dërguesi është person juridik;

iii. numrin e llogarisë së dërguesit kur një llogari e tillë përdoret për të përpunuar transaksionin ose, në mungesë të një llogarie, një numër unik të referencës së transaksionit që lejon gjurmueshmërinë e transaksionit;

adresën e dërguesit ose numrin eidentitetit kombëtar, ose numrin e identifikimit të klientit ose datën dhe vendin e lindjes. b) Informacioni i kërkuar për përfituesin: emrin dhe mbiemrin e përfituesit; emërtimin, kur përfituesi është person juridik;

iii. numrin e llogarisë së përfituesit kur një llogari e tillë përdoret për të përpunuar transaksionin ose, në mungesë të një llogarie, një numër unik të referencës së transaksionit që lejon gjurmue-shmërinë e transaksionit.

Subjektet marrin masat e tjera sipas parashikimeve të nenit 10, të ligjit nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.

Neni 13, pika 3

Ishte

Formulari (RAD) duhet të shoqërohet me të gjithë informacionin e nevojshëm, që mbështet dyshimet e parashtruara në raport, si: nxjerrjen e llogarisë bankare, dokumentet e identifikimit, të dhënat e transfertave, kontratat, etj. dhe dërgohet i plotë me shkresë zyrtare ose në rrugë elektronike.

Raportimi në rrugë elektronike, kryhet bazuar në aksesin që autoriteti përgjegjës u siguron sipas kërkesës së bërë për këtë qëllim nga subjekti.

Bëhet

Formulari (RAD) duhet të shoqërohet me të gjithë informacionin e nevojshëm, që mbështet dyshimet e parashtruara në raport, si dhe lejon nxjerrjen e konkluzioneve përkatëse, si: analizën e kryer, nxjerrjen e llogarisë bankare, dokumentet e identifikimit, të dhënat e transfertave, kontratat etj., dhe dërgohet i plotë në rrugë elektronike, si dhe me shkresë zyrtare nëse raportimi elektronik është objektivisht i pamundur.

Raportimi në rrugë elektronike, kryhet bazuar standardet, formatin dhe aksesin që autoriteti përgjegjës u siguron sipas kërkesës së bërë për këtë qëllim nga subjekti. /Monitor