Transmetuar më 24-08-2020, 15:12

Pas vendimit për rifillimin e shkollave, Komiteti Teknik rekomandon që nga klasa e parë deri në të pestën rekomandohet mbajtja e maskave gjatë orëve të mësimit, ndërsa në klasat më lartë maska do të jetë e detyrueshme.

Gjithashtu, Tomini theksoi se do të ruhet distanca prej 1.5 metra mes nxënësve, do të ketë dezinfektantë në çdo klasë, si dhe do të izolohen menjëherë rastet e dyshuara dhe kontaktet e tyre.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, foli në një lidhje për “News24” lidhur me vendimin për hapjen e shkollave, ku sqaroi procedurat që do të ndiqen, por iu përgjigj edhe disa nga shqetësimet e prindërve, kryesisht për ata që çojnë fëmijët në klasat e para.

Çfarë i pret fëmijët, si arritët në marrjen e këtij vendimi?

Duke vlerësuar ecurinë e rasteve pozitive në grupmoshën nga klasa e parë deri në gjimnazë, që i përket një numri shumë të ulët, vendosëm të nisim vitin shkollor. Edhe karantina, ndarja e tepërt për shumë muaj, bënë që të merrnim këtë vendim. Nga klasa e parë deri në klasë të pestë është rekomanduar mbajtja e maskës në orët e mësimit. Do ketë orë mësimore jashtë ambienteve të klasës. Grupi tjetër, nga klasa e pestë deri në gjimnazë do të mbajnë në mënyrë të detyrueshme gjatë gjithë aktivitetit mësimor dhe jo vetëm maskën. Sa i përket distancës do të jetë jo më pak se 1.5 metra.

Sa do arrijnë ta ruajnë distancën nxënësit?

Duhet të angazhohen të gjitha strukturat. Janë mësuesit si një fytyrë unike, sidomos në klasat e fillores. Duhet pak durim, është një eksperiencë që e përballëm edhe me cerdhet, provimet e gjimnazit. Ndërgjegjësimi në klasat e para, të dyta e të treta, nuk do të jetë si në klasat më lart, por duhet pak durim nga mësuesit.

Dyert e shkollave do të mbyllen në mëngjes dhe nuk do të hapen më për të hyrë prindërit… Do matet temperatura e nxënësve, cfarë do bëhet nëse do ketë ndonjëri temperaturë të lartë?

Janë disa skenarë që do të bëhen të ditur në momentin e duhur. I takon Ministrisë së Arsimit vendimi. Sa i përket temperaturës, një fëmijë që ka temperaturë në shtëpi nuk do të niset fare për në shkollë. Nëse ndodh në ambientet e shkollës, sigurisht që do të lokalizohet dhe do të njoftohet prindi menjëherë për ta marrë fëmijën e për të vijuar zinxhirin e nxjekjes së rastit të dyshuar.

Po formulari nga prindërit pse është i nevojshëm?

Për vetë faktin që një fëmijë të mos vijë në shkollë, nëse është rast kontakti të infektuari.

Si mund të ruhet distancimi i mësuesve me nxënësit, sidomos të klasës së parë, kur duhet t’iu mbajë dorën për të shkruar?

Mësuesi është shumë e rëndësishme të jetë afër nxënësve, por kemi disa elementë, që të gjithë mësuesit nuk do të heqin maskën, pavarësisht distancës. Sigurisht elementët dezinfektantë do të jenë në çdo klasë.

A keni frikë se diçka mund të shkojë jo mirë dhe të kemi përhapje masive të virusit?

Parashikimet janë pjesë e punës sonë. Deri në daljen e vaksinës janë këto masa. Edhe nëse do të infektohet një numër i caktuar, do të izolohen dhe do të ndiqen të gjitha kontaktet. Do të mbetet nën vëzhgimin dhe nën alertin e të gjitha strukturave vendore.

Kur të vijë gripi i stinës, mos do të ketë përplasje me koronavirusin në organizëm?

Ky është një vit shumë i vështirë, edhe sa i përket gripit dhe Covid njëkohësisht. Program kombëtar i vaksinimit dhe institucionet e shëndetësisë janë në punë intensive për të vënë në dispozicion vaksinën e gripit sa më shpejt. Do të kemi një lloj mbrojtje kundrejt gripeve që kanë qenë dhe më parë. Do të ketë një impakt pozitiv sa i përket gripeve. Bashkëpunimi me prindërit është i domosdoshëm. Është një ndërgjegjësim i të gjithëve. Është shumë e rëndësishme të jemi të kujdesshëm për shëndetin.

Po me fakultetet çfarë do të bëhet?

Është drejt finalizimit edhe grupi i punës për universitetet dhe shumë shpejt edhe studentët do të qartësohen.

/NOA.al