Transmetuar më 23-08-2020, 10:24

Dje në mbrëmje në fshatin Nekoc të Drenasit është vrarë një person, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Mësohet se 50 vjeçari është vrarë me armë, pas një konflikti.

Viktima është rrahur fillimisht me autorin e dyshuar të ngjarjes (në foton kryesore), i cili ka qenë i shoqëruar me dy të tjerë.

Leotrim Syla, i cili është djali i të dënuarit për rastin ‘Bllaca 2’, Shaban Sylës, dyshohet nga policia se ka qëlluar me kallashnikov dhe ka vrarë Qamil Demirin, 50 vjeç.

Viktimat Qamil Demiri është vëllai i komandantit Isak Demiri. Viktima së bashku me vëllain dhe babain ishin duke lëvizur me kamion, derisa tre të dyshuarit (vëllezërit Syla) kanë qenë mbrapa tyre me një veturë.

Babai i viktimës ka marrë plagë në këmbë, kurse vëllai është lënduar nga mjete të mprehta.

Policia e Kosovës tha se para ngjarjes ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku përveç mjeteve të forta është përdorur edhe arma e zjarrit.

Policia ka identifikuar edhe dy të dyshuar të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim.

“Rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se në fshatin Nekoc të Drenasit ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku përveç mjeteve të forta është përdorur edhe arma e zjarrit. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast një person është plagosur nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike", tha policia.

"Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor".

"Personi i plagosur nga arma e zjarrit, nuk mundur tu përballoj plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Lidhur me këtë rast të vrasjes, janë identifikuar tre persona të dyshuar dhe jemi në kërkim të tyre. Aktualisht hetuesit policor janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Policia e Kosovës.