Transmetuar më 22-08-2020, 16:18

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut bën të ditur se në 24 orët e fundit ka kryer 1733 testime të dyshuara për Covid-19, ndërkaq 159 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Në shtetin fqinj situata paraqitet disi e stabilizuar, dhe këtë e dëshmon numri i rasteve të reja, të cilat në krahasim me testet e kryera, nuk kanë shfaqur ndonjë premisë rritëse. Gjithashtu raportohet se gjashtë pacientë të moshave nga 61-86 vjeç kanë humbur jetën duke e çuar numrin total të viktimave në 563, që nga fillimi i pandemisë.

Instituti i Shëndetit Publik pohon se janë shëruar edhe 75 pacientë të tjerë, të cilët prej ditësh po përballeshin me agresivitetin e coronavirusit.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut është 13458, ndërkohë deri tani mbi 10 mijë të infektuar kanë mposhtur me sukses pandeminë që ka pllakosur pothuajse të gjithë vendet e botës.

Autoritetet shëndetësore në daljet e tyre publike janë shprehur se situata në RMV po monitorohet me kujdes. Ata nuk e përjashtojnë skenarin për kufizim masash, nëse numrat e të infektuarve me Covid-19 shfaqin tendencë rritëse.