Transmetuar më 21-08-2020, 09:56

Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që nga fillimi i pandemisë 20 gra shtatzëna kanë rezultuar të infektuara me Covid-19.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka treguar se janë dy foshnja që kanë lindur e që janë diagnostikuar me Covid-19.

Krasniqi tha në televizionin ‘Dukagjini’, se qysh se kur është shfaqur virusi Covid-19, klinika e Gjinekologjisë ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me koronavirus.

“Habitem sesi njerëzit të cilët punojnë në QKUK kanë harruar faktin se në gjinekologji që nga fillimi i pandemisë janë trajtuar femrat shtatzënë që kanë qenë të infektuara. Kanë lindur 20 gra shtatzëne me Covid-19 aktiv në momentin e lindjes. Klinika e Gjinekologjisë që nga fillimi ka qenë e kyçur në trajtimin e rasteve me Covid-19 pozitiv dhe kemi pasur 2 foshnje që kanë lindur ose janë diagnostikuar menjëherë pas lindjes me Covid-19”, tha Krasniqi.

Po ashtu ai deklaroi se gjatë kësaj kohe të gjithë pacientët të infektuar apo të dyshuar me Covid-19, kanë marrë shërbime mjekësore dhe se asnjë pacientë nuk ka vuajtur për mungesë të respiratorëve apo mungesë të oksigjenit.