Transmetuar më 15-08-2020, 20:34

Pacienten e vogël e vizitoi në Ortopedi. E pas kësaj, mjeku kirurg nga Spitali i Pejës, ia ftoi asaj nënën në zyrën e tij, të mërkurën mbrëma.

Gruas, siç denoncon kjo e fundit, priste që ai ti tregonte disa pajisje për shërimin e vajzës, e cila ka 17 ditë që po qëndron në spital.

Por, aty, në zyrën e Numan Baliqit, gjithnjë sipas nënës së pacientes, ndodhi diçka tjetër.

Gruaja pretendon se mjeku nuk u ndal, edhe pse kjo tentoi të ikte.

“Më kapi për dore dhe më futi brenda me zor, e mbylli derën dhe e fiku dritën. Unë i thashë, doktor hape derën se do thërras sigurimin. Ai më tha ‘dua të të mas pulsin e zemrës’. Tentoi të më ledhatonte dhe të më puthte në qafë. Në atë moment unë e shtyva atë dhe e hapa derën e ika”, ka rrëfyer gruaja.

Baliq edhe më parë ishte i përmendur me një rast deri diku të ngjashëm. Ish-ministri u përball me denoncim për ngacmim sek-sual ndaj një punonjëseje në spitalin ku punon.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, pasi dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 e në vazhdimësi ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje séksiste në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.

Pas këtij rasti, Baliq ishte pezulluar nga puna e më tej akuza ra.

Ndërkohë Prokuroria e Pejës thotë se “lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm sèksual në spitalin rajonal të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh.

Gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”.