Transmetuar më 09-08-2020, 15:54

I lindur në Elbasan, i rritur në Gjakovë, Shkëlzen Doli, sot ai është një artist me famë botërore.

"EDHE 100!", – e uron kryeministri shqiptar artistin Shkëlzen Doli, të cilit me rastin e ditëlindjes i ka dedikuar edhe disa rreshta, mbi udhëtimin e jashtëzakonshëm të tij në karrierë.

– "Një shqiptar me violinë në krah, që veç me forcat e tij çan detin dhe pasi mbërrin në Eldoradon e muzikës klasike, vazhdon e ia del përsëri të parealizueshmes, duke i bërë tingujt e muzikës shqiptare pjesë të asaj Eldoradoje", – shkruan Kryeministri Edi Rama, për violinistin e famshëm shqiptar, i cili sot mbush 49-vjeç.

Rama thotë se ka pasur fatin ta njohë edhe personalisht.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama, për Shkëlzen Dolin:

SHKËLZEN DOLI, lindi në Elbasan, më 9 gusht 1971, por mësimet e para të violinës i mori qysh i vogël në qytetin ku u rrit, Gjakovë.

Spikatja e hershme e virtuozit shqiptar e shpërndau shpejt jehonën e talentit të tij përtej kufijve të ish-Jugosllavisë dhe ai ishte vetëm 24 vjeç kur u mirëprit në gjirin e Orkestrës Filarmonike të Vjenës. Por shqiptari i etur për sfida nuk u mjaftua me karrigen e lartë në njërën prej orkestrave më prestigjoze të globit dhe u shfaq në skenën vieneze në formate ansamblesh të ndryshme të muzikës së dhomës, duke marrë prej aty ftesa për ta manifestuar virtuozitetin e tij në skena të thuajse të gjithë kontinenteve.

Kam pasur fatin ta njoh Shkëlzenin, e të admiroj tek ai dëshirën e zjarrtë për të kontribuar për Shqipërinë përmes forcës tërheqëse të talentit të tij, duke u vënë në dispozicion si edhe disa yje të tjera të artit shqiptar, të përpjekjes për ta prezantuar atdheun tonë të bukur me të vërtetat e panjohura nga bota, ku Shqipëria rëndom është perceptuar me syzet e errëta të paragjykimit të krijuar nga mosnjohja.

Shkëlzen Doli i është përkushtuar edhe muzikës popullore shqiptare, me pasionin e një zbuluesi thesaresh dhe ia ka dalë t’i kthejë gurët e saj të çmuar në bizhuteri mahnitëse për koleksionet e admiruesve të artit të tingujve.

Atij i pëlqen të përsërisë shprehjen e famshme të Ajnshtajnit, "Çdokush e dinte që ishte e pamundur deri sa erdhi një i marrë që s’e dinte dhe e bëri” e në njëfarë mënyre historia e tij e derikëtushme është shëmbëlltyrë e kësaj shprehjeje; një shqiptar me violinë në krah, që veç me forcat e tij çan detin dhe pasi mbërrin në Eldoradon e muzikës klasike, vazhdon e ia del përsëri të parealizueshmes, duke i bërë tingujt e muzikës shqiptare pjesë të asaj Eldoradoje! Respekte maestro.

/NOA.al