Transmetuar më 07-08-2020, 10:23

Policia e Tiranës thotë se ka finalizuar një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit të koduar “Klientët”, është vënë në pranga një 28-vjeçar, pasi shfrytëzonte për prostitucion në qytete të ndryshme, bashkëjetuesen 17-vjeçare dhe një vajzë tjetër 18-vjeçare.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person shfrytëzonte për prostitucion një shtetase 18-vjeçare, të cilën e përdorte edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, si dhe një vajzë 17-vjeçare me të cilën bashkëjetonte, kanë organizuar punën duke bërë dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klientët”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga Majkëll Mara, 28 vjeç, banues në Korçë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i riu shfrytëzonte për prostitucion në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë, një 18-vjeçare dhe 17-vjeçaren, me të cilën bashkëjetonte.

Gjithashtu, Mara e ka shfrytëzuar dhe përdorur 18-vjeçaren edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur’’, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. /a.y/noa.al