Transmetuar më 06-08-2020, 20:06

Pogradeci është tronditur pasditen e sotme, nga një ngjarje tepër e rëndë.

Olsi Çekiçi goditi me thikë nënën e tij 70 vjeçe, Firdes Çekiçi, e cila si pasojë e plagëve të shumta në trup, ndërroi jetë.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 18:10 në fshatin Buçimas, ku pas ngjarjes 44-vjeçari u prangos nga policia.

Autori i vrasjes sipas burimeve zyrtare ka goditur gjatë sherrit me thikë edhe vëllain e tij, i cili për momentin ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e arrestoi 44-vjeçarin, i cili njihet prej kohësh si një person problematik në fshat.

Skena e parë nga autoritetet që kanë mbërritur në familjen Çekiçi përshkruhet si makabre.

Përveç se konsiderohej person me probleme mendore, Olsi shpesh refuzonte të konsumonte ilaçet, por njihej si konsumues i lëndëve narkotike.

Ai pasi ka vrarë nënën e tij Firdes Çekiçi, duke i prerë kokën me thikë, më pas e ka varur tek dera e shtëpisë.

Personi në fjalë ishte me kartelë, por nuk pranonte të merrte ilaçet dhe bëhej edhe më problematik për të ëmën, por edhe për të tjerët.

Në banesë jetonte edhe vajza e Olsi Çekiçit, 15 vjeçe, çka e bën ngjarjen tepër tronditëse.

Autori i ngjarjes horror rezulton të jetë i dënuar në Itali për shitje të lëndëve narkotike.

Ai ka kryer një pjesë të dënimit në burgun e Zaharisë në Krujë, aty ku vuajnë dënimin të dënuarit me probleme mendore. Madje ka qenë edhe në spitalin spikiatrik të Elbasanit. Gjithashtu 44-vjeçari ka qenë i martuar, por është divorcuar më vonë.

/NOA.al