Transmetuar më 06-08-2020, 19:10

Autoritetet e policisë greke kanë vendosur që pikat e kalimit të Kakavijës dhe Kapshticës të mbyllen për udhëtarët dhe automjetet prej orës 22:00 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Sqarohet se këto pika kalimi do të jenë të disponueshme çdo ditë prej orës 06:00 të mëngjesit deri në orën 22:00.

Policia e Shtetit njofton qytetarët se duke filluar nga data 16 Gusht 2020, shtetasit që hyjnë në Greqi nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Kakavijë dhe Kapshticë, do të karatinohen për 7 ditë.

Lejohet të kalojnë kufirin vetëm shtetas grekë, shtetas shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke dhe minoritarë me kartën përkatëse.

Shtetas të BE-së apo me leje qëndrimi në vendet e BE-së dhe vendet e tjera të treta nuk lejohet të hyjnë nëpërmjet pikës doganore Kakavijë dhe Kapshticë për në Greqi.

Policia e Shtetit apelon që të gjithë qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për lëvizjet në kufi si dhe të respektojnë me rigorozitet masat mbrojtëse me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit apelon qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet dhe udhëtimet gjatë orarit që Pikat e Kalimit janë të mbyllura, pasi mjetet dhe udhëtarët nuk do të lejohen nga Policia Kufitare  që të parkojnë apo qëndrojnë në territorin doganor e kufitar.