Transmetuar më 06-08-2020, 13:43

E mbijetuara e vetme e ngjarjes horror që tronditi mbarë vendin, ku nënë e bijë u vetëflijuan për tu ringjallur, është përmirësuar.

Blerta Josifi ka dalë nga spitali psikiatrik, prej nga është marrë nga familjarët e saj në kujdestari. Por pavarësisht lënies së spitalit, Blerta do të jetë nën kontrollim e vazhdueshëm të mjekëve.

Ndërkohë në varësi të ecurisë së gjendjes së saj të shëndetit mendor, Blerta pritet që të merret në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen e tmerrshme të zbuluar në 2 korrik në zonën e Kombinatit.

Blerta Josifi është e mbijetuara e vetme e ritualit makabër ku motra e saj Anisa Josifi dhe nëna Zhaneta, u vetëflijuan për të ringjallur.

Bazuar në dëshminë e Blertës, Anisa kishte ndërruar jetë në 27 prill 2019, duke ndërprerë ushqimin.

Pas vdekjes së saj, pas dështimit të tentativave për ta ringjallur me lutje dhe lyerjes së trupit të saj me uthull për të mos u dekompozuar, Blerta dhe Zhaneta ndërprenë ushqimin.

Sipas të mbijetuarës, në këtë mënyrë ato shpresonin në ngjalljen e Anisës, gjë që e kishin lexuar në librat fetarë.

Për vite me radhë ato kishin qenë pjesë e Kishës Ungjillore, por vitet e fundit ritet fetare i praktikonin të pavarura në banesë, duke mos shkuar më në kishë.

Vazhdimisht lidhur me ngjarjen që tronditi mbarë vendin, janë hedhur dyshime se pas aktit makabër të familjes Josifi qëndrojnë sekte satanike. /a.y/noa.al