Transmetuar më 06-08-2020, 13:23

Kryedmokrati Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama për mbylljen e bizneseve.

Duke publikuar fotografi nga bizneset e mbyllura ai deklaron se pesë muaj pas mbylljes nga pandemia, është fakt që paketat ekonomike të qeverisë rezultuan gjysmake, të pamenduara dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset.

Sipas tij, ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon dhe se faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria.

“Shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit, qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës, qindra studentë e kanë të pamundur të përballojnë jetën studentore. Këtë vit shumë familje do ta kenë të pamundur të çojnë fëmijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë”, shkruan Basha.

Ai shton se PD që në ditët e para të karantinës, duke vlerësuar situatën dhe pas konsultimeve me ekspertët më të mirë në vend i ofroi qeverisë propozime konkrete për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike si dhe strategjinë e daljes nga karantina.

Por shton Basha, qeveria Rama, refuzoi t’i marrë në konsideratë propozimet e opozitës duke i lënë shqiptarët dhe ekonominë e tyre në mëshirën e fatit, sepse si në ditët e para të pandemise dhe sot kur situata si shëndetësore dhe ekonomike është tejet e rënduar qeveria Rama mendon vetëm për veten dhe klientët e saj oligarkë.

Në vijim thotë se Partia Demokratike është angazhuar seriozisht me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për t’i kthyer frymëmarrjen vendit, për ta sjellë ekonominë në shinat e zhvillimit dhe siguruar punësimin e shqiptarëve.

Basha zotohet se punësimi mbetet prioriteti i tij kryesor dhe për ta garantuar këtë ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme.

“Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe liçencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi të vijnë në Shqipëri. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve”, thotë ndër të tjera lideri i opozitës.

Basha thotë në mbyllje se pavarësisht vështirësive që po kalojmë këto kohë, shpreh bindjen se do të dilet që të ketë ditë më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes një qeverie normale që punon për qytetarët dhe jo për një grusht oligarkësh. /a.y/noa.al