Transmetuar më 05-08-2020, 15:48

Një ditë pas sekuestrimit të pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi, avokati i tij mbrojtës tha se këto pasuri janë vënë në sekuestro në mënyrë të parregullt, dhe në shkelje të ligjit.

Duke deklaruar se vendimi do të ankimohet, avokati Alban Qafa bëri publike të gjitha dokumentet e pasurive të klientit të tij.

Sipas tij, SPAK regjistroi procedim në 21 korrik 2020, dhe 7 ditë më vonë doli vendimi për sekuestrim. Ky fakt sipas avokatit tregon edhe njëherë nxitimin e prokurorisë.

“Nga ana e SPAK më 21 korrik 2020 u regjistrua procedimi penal dhe 7 ditë më pas, më 28 korrik u regjistrua kërkesa e prokurorisë për vendosjen e sekuestros. Dokumenti është marrë në shqyrtim në maj, ndërkohë që kërkesa e organit të akuzës është depozituar në korrik. Kjo tregon nxitimin si të prokurorisë dhe të gjykatës për këtë vendim.

Është vënë sekuestro mbi 26 pasuri të në biznesi mbi 29-vjeçar. Ngrihet pyetja si është e mundur që brenda 7 ditësh nga regjistrimi i procedimit penal, u gjetën indicie sipas pretendimeve të arsyeshme për të shkuar drejt sekuestrimit të pasurive të z. Ylli Ndoqi. Vetëm një ditë më pas, Policia e Shteti ka nxituar që të deklarojë se hetimet kanë zgjatur 18 muaj nën drejtim  e prokurorëve të SPAK. Para 8 muajsh prokurorët e SPAK janë betuar para Presidentit në dhjetor të vitit 2019. Si mund të zhvillojë SPAK një hetim kur nuk ka ekzistuar?

Sipas ligjit është sanksionuar se hetimet drejtohen nga prokuroria. Duhet të ishte prokurori ai që përmes policisë gjyqësore të ndërmerrte veprimet e nevojshme ndaj personave të sipërpërmendur. Në deklaratën e policisë janë kryer hetime mbi 17 muaj pa ju referuar prokurorit. Këto hetime pa dijeninë e prokurorit janë hetime të paligjshme nga policia. Kjo ngre dyshime për keqpërdorimin e policisë nga qeveria.

Nuk ka asnjë indicie se këto pasuri ishin në gjendje rreziku apo nga ndonjë organizatë kriminale. Transmetimet e RTV Ora dhe Ora Neës kanë qenë në krah të qytetarëve. Ndërsa sa i përket pronave që kërkohet të sekuestrohen, një pjesë nga ato nuk janë të Ylli Ndroqit. Edhe ato që janë në pronësi të tij, janë krijuar me burime te ligjshme”, tha avokati.

Më datë 3 korrik, SPAK sekuestroi pasuritë e Ylli Ndroqit, mes tyre edhe televizionet Ora Neës dhe RTV Ora. /k.k/noa.al/