Transmetuar më 05-08-2020, 11:43

Shkon në dhjetë numri i të arrestuarve të cilët përfituan 38 mijë euro me anë të mashtrimit me adresa Facebook-u.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, të finalizuar një muaj më parë nga policia e Tiranës, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 9 persona, është arrestuar i shpalluri në kërkim Sh. B., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e policisë u bë kapja e Sh. B. dhe ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim Sh. B., 29 vjeç.

I riu në bashkëpunim me të arrestuarit e tjerë, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Aktualisht vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al

Përfituan 38 mijë euro me anë të mashtrimit me adresa Facebook-u, 9 të arrestuar në Tiranë