Transmetuar më 01-07-2020, 09:33

Shqipëria është në prag të derës sa i përket çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Rruga deri në këtë moment ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Por Shqipërisë i duhet që krahas reformave të mëdha në disa fusha, me rëndësi është edhe përafrimi i standardeve ekonomike. E duket se në këtë pikë nuk jemi aq mirë sa duhet. Vetë eksponentë të shumicës dhe opozitës mendojnë se Shqipërisë do ti duhen edhe 50 vite që të arrijë standardin ekonomik të saj me mesataren e vendeve të BE. Një rrugë e gjatë duket por sërish Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veçse të ecë përpara në këtë drejtim.

Por puna nuk ka nisur sot. Ashtu si për plotësimin e kritereve politike edhe plotësimi i kritereve ekonomike ka nisur që prej viteve ’90. Të gjithë e pranojnë se rrugëtimi ekonomik është vendimtar në procesin e integrimit të vendit në familjen europiane. Sipas kryetares së Komisionit të Ekonomisë Milva Ikonomi Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha. “Në përgjithësi ka qenë një rrugëtim i vështirë. Por padyshim është më i rëndësishmi. Sa kohe kriteri politik nuk është në nivelin e duhur ai ka dhënë pasojat edhe në kriterin ekonomik. Ndaj ne kemi marrë dhe reforma dhe më e rëndësishmja ka qenë reforma në drejtësi. Kjo reformë do të ketë ndikim edhe në ecurinë ekonomike”.

Të gjitha partitë politike në vend, në qeveri apo në opozitë e konsiderojnë integrimin një objektiv madhor kombëtar. Ecuria ekonomike është e lidhur ngushtë  me rrugëtimin politik të vendit tonë drejt anëtarësimit në BE. Por rrugëtimi ka qenë i vështirë edhe për ekonominë përgjatë këtyre dekadave, megjithatë ky rrugëtim konsiderohet objektiv strategjik nga ish deputeti i PD Edmond Spaho i cili thotë se: “Objektivi për të qenë Pjesë e Europës është objektiv strategjik. Përgjatë këtyre 30 viteve  është bërë një progres i madh. Është krejt ndryshe nga vitet ’90 ku u vendos ekonomia e tregut. Në një vështrim të përgjithshëm, ku të vlerësosh atë që është investuar dhe ajo që kemi arritur, krahasuar edhe me vendet e tjera, ne vazhdojmë të jemi vendi më i varfër i Europës, nivel të ulët pagash, dhe largim masiv të të rinjve. Të gjitha këto janë shenja për shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht klasën politike, të analizojmë dhe gjejmë shkaqet pse kemi një diferencë kaq të madhe dhe çfarë masash duhen ndërmarrë që ky hendek të ulet. Pa arritur të mbyllim këto diferenca është e vështirë të bëhemi pjesë e Europës”.

Ekspertët e procesit të integrimit janë të bindur se “detyrat e shtëpisë” kanë qenë të shkruara në raport progrese për të gjitha qeveritë, e mjafton që të lexojnë ato për të kuptuar se ritmi i përafrimit ka qenë i ndryshëm në kohë të ndryshme thotë eksperti për integrimin Arben Kashahu: “Për të kuptuar si ka ecur rrugëtimi ekonomik për një qytetar do të ishte e mjaftueshme të lexohej raport-progresi të cilat e trajtojnë çështjen e përballjes së ekonomisë shqiptare me mundësinë e integrimit me një analizë të thellësishme. Ekonomia  shqiptare ka ecur në periudha të ndryshme me shpejtësi të ndryshme drejt BE”.

Por sot vendi është në një moment shumë të rëndësishëm kur unioni ka rekomanduar çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht përveç vlerësimit politik, ky vendim  tashmë pritet të ketë një tjetër ndikim edhe sa i përket ecurisë dhe përafrimit të standardeve ekonomike Europiane. Gjithçka nis që nga legjislacioni.

MILVA IKONOMI, DEPUTETE E PS

“Shqipëria në çdo moment bëhet gati për tu bërë gati pjesë e BE. Përmirësimi i kuadrit ligjor është një nga sfidat kryesore. Shqipëria në çdo moment bëhet gati për të ndërtuar përafrimi legjislacionit. Procesi legjislativ kërkon edhe njohje individuale. Kështu sa kohë në bëhemi gati, ne përgatisim edhe individë që bëhen gati për tregun Europian”.

EDMOND SPAHO, ISH DEPUTET I PD

“Është lajm shumë pozitiv dhe i mirëpritur nga të gjithë. Ne do të kemi një mundësi më shumë për një reformim të plotë dhe të kontrolluar më mirë nga institucionet e BE si edhe tu përgjigjet më mirë nevojave që ka shoqëria shqiptare. Kohëzgjatja dhe thellësia e procesit do të varet nga shkalla e angazhimit në këtë proces”.

Monitorimi si vend qe çel negociatat do të jetë edhe më i kujdesshëm. Ritmi për plotësimin e kritereve duhet të jetë më i shpejtë, e kjo vetëm sa do ta ndihmojë ekonominë shqiptare.