Transmetuar më 26-07-2020, 13:56

Intervistoi: Aranit Muraçi

"Shqipëria duhet të ndjekë politika, që ndoqi Mali i Zi para disa vjetësh ku subvenciononte grupet e mëdha muzikore, për koncerte, si Madona apo Rolling Stones, që hapën turizmin vendor të frekuentohej edhe jashtë sezonit nga mijëra persona, që vinin nga vendet kufitare por dhe vendet Europiane"

Pak ditë më parë, përmes disa postimeve në rrjetet sociale, Joleza Koka, bëri thirrje që shqiptarët këtë vit t’i kalojnë pushimet në vendlindjen e tyre.

Ajo vjen madje edhe me disa ide, duke marrë shembullin e Malit të Zi. Lidhur me patriotizmin që duhet të tregojmë për turizmin vendas, Joleza thotë se kështu veprojnë edhe vendet më të zhvilluara në botë, si SHBA.

Ish-kryetarja e Forumit Rinor Eurosocialist, aktualisht këshilltare në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se në jugun e vendit, më konkretisht nga Vlora  deri në Sarandë, çmimet janë po ashtu të favorshme për qytetarët, ndonëse pati pretendime për të kundërtën. Në një intervistë për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA, Joleza Koka flet për gjendjen e turizmit në Shqipëri dhe sqaron arsyet, pse duhet që pushimet e verës t’i kalojmë në bregdetin shqiptar:  

Joleza, keni ndarë disa foto nga bregdeti i jugut, kryesisht nga Ksamili dhe Saranda, duke u bërë thirrje pushuesve të shijojnë bukuritë natyrore të bregdetit tonë, pasi edhe çmimet thoni se janë në favorshme. Në fakt janë ngritur shqetësime, për çmime të kripura në bregdetin shqiptar. Ku bazoheni ju për çmime të favorshme?

Jemi duke jetuar në një situatë të jashtëzakonshme, ku fjala solidaritet merr një kuptim real. Thirrjet, që i janë bërë pushuesve shqiptar sot për të frekuentuar bregdetin e tyre, janë të ngjashme me ato, që George W. Bush i bënte amerikanëve pas rënies së kullave binjake, ku thoshte që nëse doni të ndihmoni Amerikën konsumoni në New  York. Dua ta them këtë sepse dua, që të vendos në kontekst atë që kam shkruar për çmimet e Ksamilit. A janë çmimet në bregdetin shqiptar të ulëta për ekonominë Shqiptare? Ndoshta jo! Kur vjen puna për të paguar atëherë gjithsecili prej nesh do, që të paguajë më pak e kjo është legjitime, por a janë këto çmime më lirë se në plazhet e vendeve të huaja, që na rrethojnë? Absolutisht PO! Të mos harrojmë, që në Sarandë ka gjithashtu disa nivele plazhesh, janë edhe ato publike pa asnjë pagesë, por nuk është kjo pjesa më e rëndësishme. Ajo që është më e rëndësishme, është që ne duhet ta paguajmë sot 8 euro, sepse bregdeti mund të shfrytëzojë vetëm këtë muaj për të mbijetuar dhe me ato para ata nuk do bëhen pasanikë, në kurriz të bashkombësve të tyre. Këtë besoj me një llogari të thjeshtë e kuptojmë. Por ama, nëse do të kenë vizitorë vendas, do të kenë mundësi të mbajnë dikë në punë, nuk do falimentojnë si biznese. Dotë mund të vazhdoj të ekzistojë edhe për një vit tjetër turizmi në bregdet, i ngritur me një mund të jashtëzakonshëm nga mijëra individë. Unë këtë kam dashur të them me atë foto, që nga shumëkush mund të jetë keqkuptuar, por thelbi është që jemi të gjithë në një varkë, kur vjen puna tek menaxhimi i kësaj situate të jashtëzakonshme e për një vend, që turizmin e ka jetik dhe ku mijëra familje çojnë bukën në tavolinë. Unë prapë e them PO për plazhin më të bukur në botë (dhe mos harrojmë që jemi të privilegjuar për këtë natyrë), në kontekstin kur duhet të solidarizohemi, sepse 8 euro për një çadër, nuk janë shumë.

Nisur nga pandemia, si kudo në botë pritej të kishte vështirësi turizmi. A e keni konstatuar këtë krizë në bregdetin e jugut këtë vit. Deri tani ka më shumë turistë vendas apo të huaj, që vijnë aty për të pushuar? 

Siç edhe pritej, është thënë nga shumica e komunikimeve publike, numri i pushuesve shqiptarë dominon këtë vit për arsye të pandemisë. Ky është një fenomen jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për vendet e tjera, që i kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre, që dhe pse mbase kanë më shumë mundësi të udhëtojnë që të bëjnë pushimet në vendet e tyre. Ky vit është viti i turizmit patriotik për të gjitha vendet e botës, mendoj unë, e kështu ka për të qenë edhe për Shqipërinë.

Bregdeti i jugut frekuentohet kryesisht nga të rinjtë të cilët vështirë se mund të kalojnë pushime pa pak argëtim, prandaj, a mendoni se duheshin mbyllur lokalet e natës, sidoemos ato në ambjentet  e hapura?

Pandemia e fundit e ngjashme me këtë që po kalojmë ka ndodhur 100 vjet më parë e ka qenë ajo, që njihej si ‘gripi spanjoll’, për të cilin të gjithë jemi familjarizuar mbi shifrat e tmerrshme të viktimave që shkaktoi. Me këtë dua të them, që askush nuk ka një formulë të saktë se si menaxhohen këto situata. Ne si popull, ashtu edhe qeveria, jemi duke bërë maksimunimin për të mësuar si të bëjmë më të mirën: me një diferencë, nëse gjithsecili prej nesh mban përgjegjësi vetëm për veten e vet, qeveria mban përgjegjësi për të gjithë ne. Mua si njeri që futet në kategorinë e rinisë nuk më pëlqen ky vendim, por e respektoj, sepse e kuptoj që ky është një vendim për të mirën e shëndetit të përbashkët. Kush prej nesh përpos atyre që janë sot të ngarkuar me këtë gjë, do të mbanin nesër përgjegjësinë për dhjetëra apo qindra vetë, që mund të infektoheshin në këto festa? Sidoqoftë pas hapjes së madhe që ndodhi në Maj, them se filloi një komunikim në distancë mes njerëzve në përditshmërinë e tyre. Unë mendoj që dhe ky vendim është pjesë e këtij komunkimi. Nëse pas disa ditësh do arrihet një disiplinim i njerëzve mbase ditë pas dite do mund të shohim dhe një lirim më të madh të sjelljes së qeverisë në raport me festat, sidomos në ketë kohë pushimesh dhe në ndikimin, që ato mund të kenë në turizëm. Mbetem shpresëplotë, që kjo do ndodhë, por është diçka që nuk e ka në dorë vetëm komiteti, që merr vendimet për pandeminë, por dhe ata që kanë klubet, apo dhe vetë njerëzit që i frekuentojnë.

Megjithë kaosin apo mungesën e vizionit sa i përket kulturës së zhvillimit të turizmit, si në ndërtime, ashtu edhe në organizim, mund të vihet re nga çdo turist vendas ose i huaj, edhe pse shumë media të huaja e konsiderojnë bregdetin shqiptar një ndër ‘perlat e pazbuluara’ të Medheut …   

Jam dakort, në 30 vite tranzicion, siç na pëlqejnë ta quajmë, por që në fakt është një liri e shfrenuar që erdhi si pasojë e ndalimit po aq të pafre të sistemit totalitar. Ne gjendemi me një bregdet apo edhe zona malore të mrekullueshme, në aspektin natyror, por me një situatë kaotike në atë, që përbëjnë ndërtimet ku bazohet dhe shërbimi turistik. Parë me syrin e profesionistes duke qenë se unë vetë arkitekte jam e duke pasur origjinën nga bregu është një vëzhgim profesional por dhe emocional. Të gjthë po rritemi gradualisht, qoftë qeveria me vëmendjen e saj ndaj turizmit, por dhe investitorët përherë e më shumë po e vlerësojnë aspektin estetik të shërbimit, sepse dhe ata e kanë kuptuar, që duan apo nuk duan, janë futur tashmë në një konkurrencë globale. Turizmi është e vetmja fushë ku Ksamili duhet të konkurrojë me Barcelonën apo me bjeshkët e Tropojës dhe ato të Austrisë. Individi në këtë botë të lirë, mund të shkojë kudo e për pasojë mund të zgjedhë. Ne kemi avantazhin por dhe disavantazhin, që konsiderohemi akoma një vend ‘aventurë’. Vitet e fundit Shqipëria ka qenë në shumicën e mediave ndërkombëtare si një “perlë e pazbuluar e Mesdheut”, siç e thoni edhe ju, prandaj mendoj, që kjo gjë ka shtuar presionin si tek qeveria, ashtu edhe tek investitorët, që të konkurojnë jo vetëm me çmimet, por dhe të mbajnë plazhet e pastra, të bëjnë ndërtime cilësore, të respektojnë natyrën dhe hapësirën. Sot turizmi në Shqipëri është duke ecur me hapa më të shpejtë, se çdo sektor tjetër në ekonomi dhe ky është një fakt i pamohueshëm.

A ka vend për politika më të mirëfillta zhvillimi i turizmit në Shqipëri, si një ndër dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë?

Kudo ka vend për përmirësim dhe sigurisht dhe në këtë sektor ka disa politika, që mund të bëhen në “kohë lufte” për të mirëmbajtur nga humbjet sektorin, siç mund të jenë politikat fiskale, shtyrja apo falja e disa prej taksave, por mund të jenë politika që mund të ndërmerren edhe në “kohë paqeje”, që ne shpresojmë të vij sa më shpejt me mbylljen e pandemisë. Unë mendoj që politika që ndoqi Mali i Zi para disa vjetësh ku subvenciononte grupet e mëdha muzikore, për të bërë koncerte të mëdha, si Madona apo Rolling Stones e hapën turizmin vendor të frekuentohej edhe jashtë sezonit nga mijëra persona, që vinin nga vendet kufitare por dhe vendet Europiane. Për shumicën e tyre ishte hera e parë, që frekuentonin Malin e Zi dhe në Shqipëri ne na duhet kjo gjë. Një arsye, një formë se si të afrojmë këta lloj individësh që mund të transformohen në turistë. Një ide tjetër është zhvillimi i transportit ujor, brenda për brenda Shqipërisë, por edhe me vendet fqinje. Këto janë vetëm disa ide, nga një person amator në fushën e turizmit. Mendoj që mund të ketë me dhjetëra të tjera nga ata që janë profesionistë, ashtu siç jam e sigurt, që shumë të tjera janë duke u menduar apo implementuar nga institucionet përgjegjëse. Në fund dua të them, që kritika është gjithmonë shumë e mirë dhe e shëndetshme në një shoqëri, por ka një kohë për të vlerësuar atë, që kemi të bukur jashtë si republikë, si territor, si Shqipëri, por dhe atë që kemi brenda si njerëz, si shqiptarë. Historia ka treguar, që në kohë të vështira ne dimë ti lëmë mëritë mënjanë dhe të ndërtojmë një shoqëri solidare. Këtë e vumë re dhe në ditët e vështira të termetit (ku nuk harrojmë, që ishin pikërisht bizneset e sektorit të turizmit që hapën dyert për të strehuar familjet e prekura), këtë e vëmë re dhe në këto ditë jo të lehta të pandemisë. Ajo çfarë mund të bëjmë tani, është që t’i organizojmë pushimet në vendin tonë të bukur dhe ta lavdërojmë sa dhe ku të mundemi.