Transmetuar më 21-07-2020, 15:36

Është ndarë sot para kohe nga jeta në moshën 58-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, këngëtari i njohur i serenatave korçare, Genci Kadilli.

Lajmi është bërë i ditur nga miq të Genci Kadillit, në rrjetet sociale.

Genci Kadilli ishte një këngëtar i njohur në qytetin e Korçës, dhe më gjerë, ku spikaste me serenatat e tij. Mes miqve të këngëtarit, që dhanë lajmin e trishtë, ishte edhe moderatorja e njohur Suela Demiri.

Suela ka ndarë pak çaste më parë disa imazhe me të ndjerin, Genci Kadilli, kur kishte kënduar bashkë me të serenatat korçare, si dhe ka përcjellë lajmin e trishtë, shoqëruar me një mesazhi ngushëllimi.

"Sot Korça humbi një shpirt të mrekullueshëm dhe unë një mik të mirë. Por, askush nuk shuhet, sa kohë nuk e harrojnë. Genci, ti do jetosh mes nesh sa të jetojë kitara dhe serenata", shkroi në mesazhin e saj, gazetarja dhe moderatorja e njohur, Suela Demiri./NOA.al