Transmetuar më 19-07-2020, 08:35

Imazhet që shikoni në galerinë e fotove janë të shkëputura nga video e shumëpërfolur që shpërndau dje ministria e Shëndetësisë, me pamje brenda Spitalit Infektiv ose Covid1 ku gjenden pothuajse të gjithë të shtruarit me COVID-19.

Ajo që bie në sy më së shumti në pamje, është se ndryshe nga herët e tjera që ka shpërndarë pamje, ministrja Ogerta Manastirliu dhe stafet e saj të shumta të PR, nuk janë kujdesur që mjediset e brendshme të duken si të "mbytura" nga luksi, por kanë dashur të evidentojnë sa më shumë se në këtë spital ka vuajtje dhe dhimbje.

Por çfarë ndodhi? Pikërisht gruan që shfaqet duke rënkuar në video, e denoncoi mbrëmë nipi i saj duke publikuar dokumentet në të cilat qartësohej se gjyshja e tij është shëndoshë e mirë jashtë spitalit dhe në letrat diagnostikuese nuk ekziston COVID-19.

MSH nuk reagoi për këtë denoncim. Sakaq, nëse sheh me kujdes pamjet, dallon se pacientët e Infektivit që gjenden të shtruar dhe në terapi intensive, trajtohen me bidonë plastikë uji ku se ç’kanë brenda e dinë ata që punojnë në Infektiv.

Është e paqartë përse pacientëve u vendosen bidonë plastikë uji, por disa thonë se aty u hidhet serum të sëmurëve.

Nëse kjo po ndodh, vetëm sterilitet nuk mund të ketë! Si mundet të marrësh bidonë uji që në pamje duken të jenë Qafshtama dhe Lajthiza, të cilat pasi janë përdorur për konsum uji, ti përdorësh sërish duke i mbajtur mbi krevatin e pacientit për trajtim mjekësor?

Si mundet që shishet plastike njëpërdorimshe të ujit, që nga gjithkush pasi pihet uji kapen e hidhen, në Spitalin Infektiv merren dhe përdoren sërish për trajtim pacientësh?

Këtë përgjigje mund ta japë, vetëm autoritetet shëndetësore në vend, por në këtë kohë pandemie, sikurse shumëkush e thotë, higjiena është element kryesor dhe deciziv për mbijetesën e njerëzve. /noa.al/