Transmetuar më 14-07-2020, 19:34

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përfunduar seancën e dytë të marrjes në pyetje nga prokurorët e Hagës.

Ashtu si një ditë më parë, edhe intervista e sotme zgjati rreth gjashtë orë, në përfundim të së cilës Thaçi nuk ka preferuar të flasë për mediet.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i Presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. /k.k/noa.al/