Transmetuar më 13-07-2020, 19:13

Një instruktor palestre u arrestua në Las Vegas pasi mbi të rëndojnë 14 akuza për vepra të turpshme me të mitur nën 14 vjeç, thanë autoritetet.

52-vjeçari Terry Gragy, ishte trajner në një palestër në qytet në vitet 2009-2015, ndërsa veprat për të cilat akuzohet mendohet të jenë kryer në periudhën 2007-2013.

Gray ka qenë gjithashtu trajner edhe në Sinsinati dhe Kaliforninë Jugore, por të gjitha akuzat ndaj tij janë ngritur në Las Vegas.

Në tetor 2019, ai u pezullua nga Federata Amerikane e Gjimnastikës për dy vite, por ai vazhdonte të punonte në palestra të ndryshme.

Urdhërarresti u lëshua më 8 korrik dhe Gray u arrestua dy ditë më vonë, ndërsa Gjykata vendosi që të mos lejonte lirim me kusht deri para nisjes së seancave.

Policia dhe prokurorët e çështjes janë gjithashtu në kërkim të rasteve të tjera të abuzimit dhe i kanë bërë thirrje viktimave të mundshme që të denoncojnë abuzimet.

Në vitin 2016, gjimnastika amerikane u trondit nga një skandal i madh seksual, ku mbi 368 persona, kryesisht të mitur, denoncuan për abuzime seksuale nga trajnerët, mjekët dhe pronarët e palestrave ku bënin stërvitje.

Në vitin 2018, ish-trajneri i kombëtares amerikane të gjimnastikës, Larry Nassar, u dënua me 100 vite burg për abuzime seksuale me gjimnastet dhe pornografi me të mitur.