Transmetuar më 13-07-2020, 01:32

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë regjistruar edhe 216 raste të reja me koronavirus pas testimit të 493 mostrave duke e çuar në afro 50 për qind numrin e të infektuarve në sasi testimesh.

Numri total i rasteve pozitive me 12 korrik është 4.931 raste nga 28.216 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 102 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Sipas institutit, rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 115 raste, komuna Drenas 16 raste, komuna Fushë Kosovë 16 raste, komuna Lipjan 14 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Mitrovicë 10 raste, komuna Skenderaj 6 raste, komuna Obiliq 4 raste, komuna Vushtrri 4 raste, komuna Shtime 3 raste, komuna Kaçanik 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Prizren 2 raste, komuna Deçan 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Ferizaj, Klinë, Malishevë, Pejë, Rahovec dhe Viti.

Në spitalet publike në Kosovë është rritur edhe numri i të shtruarve.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar pas mesnatës duke nisur e hëna, se në spitalet publike në Kosovë janë të shtruar 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.

Qeveria e Kosovës, të dielën ka paralajmëruar ashpërsimin e masave për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha në një konferencë për media të dielën se do te fillojë një zbatim shumë rigoroz i masave ekzistuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare.