Transmetuar më 11-07-2020, 09:05

Presidenti Ilir Meta kujton 25-vjetorin e masakrës së Srebrencisës, për të cilin thotë se ishte gjenocid i një shkalle të paprecedentë në zemër të Europës, që nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte.

Kreu i shtetit shprehet se 11 korriku 1995 shënon një moment historik të rëndësishëm dhe të paharruar për të gjithë.

“Ndërsa sot kujtojmë viktimat e pafajshme dhe të gjithë ata që pësuan tmerre të paimagjinueshme në gjenocidin e Srebrenicës, duhet të reflektojmë dhe ti shqyrtojmë me shumë kujdes veprimet tona, për t‘u dërguar një mesazh të qartë brezave të ardhshëm, për të mos i harruar dhe për të mos i lejuar kurrë më të tilla mizori të ndodhin në rajonin tonë”, shkruan Presidenti.

Sipas tij, është e një rëndësie jetike që bashkëjetesa etnike-fetare dhe kulturore të ruhet e të forcohet, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, qoftë edhe duke ricikluar ide që sjellin ndërmend shpërnguljet masive, në mënyrë që tragjeditë e përjetuara t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur por jo shumë të largët të rajonit.

“Duke ju bashkuar sot lutjeve për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjes së patreguar që përjetuan popujt dhe kombet e Ballkanit, në nderim të kujtimit të tyre, duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe bashkëjetesën për të ecur përpara drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian”, deklaron ndër të tjera Presidenti Meta. /a.y/noa.al