Transmetuar më 11-07-2020, 03:20

Vetëm një muaj ka zgjatur detyra e kreut të kasdastrës në Vlorë, Jurgen Pilkati.

Ai dha dorëheqjen këtë të premte, duke e çuar në shtatë numrin e drejtorëve që janë larguar nga ky post brenda pak muajsh.

Ende nuk dihet shkaku i largimit të Jurgen Pilkatit nga detyra, ndërsa mendohet se largimi mund të ketë lidhje me përplasjet për pronat në bregdet. Kjo pasi, Pilkati gjatë kohës që qëndroi në detyrë mësohet se nuk firmosi asnjë certifikatë pronësie, me përjashtim të disa vërtetimeve.

Jurgen Pilkati u emërua si drejtor i komanduar në krye të kadastrës së Vlorës më 2 qershor. Atij iu besua ky post pas largimit të Viola Himës, e cila qëndroi në detyrë vetëm katër ditë.

Por si qëndron historia e institucionit të kadastrës në Vlorë?

Në maj të vitit 2019, në krye të këtij institucioni u emërua Florian Almadhi. Ai punoi vetëm pesë muaj, ndërsa para se të jepte dorëheqjen kërkoi hetim për 23 punonjës të kadastrës me akuzën e tjetërsimit të pronave.

Almadhi u zëvendësua me Alteo Nazëraj, i cili po ashtu qëndroi në detyrë vetëm 10 ditë.

Me largimin e Nazërajt, në krye të kadastrës u emërua  Elona Hodaj që iku në tetor të 2019.

Të njëjtin fat patën dhe Taulant Canameti dhe Bilbil Aliaj, të cilët po ashtu dhanë dorëheqjen pas vetëm disa muajsh në detyrë. Shkak për largimet në seri, në të gjithë rastet kanë qenë dosjet e pronave në bregdet.

Ndërkohë Vizion Plus raporton se pas largimit të Jurgen Pilkatit, qeveria e ka gati emrin e ri të kadastrës së Vlorës. Gjithsesi nuk ka një njoftim ende mbi këtë çështje.