Transmetuar më 10-07-2020, 01:25

Koronavirusi mbetet agresiv dhe cdo ditë regjistrohen rreth 200 mijë raste të reja të prekurish prej tij.

Numri i personave të infektuar me koronavirus  në gjithë botën ka arritur shifrën 12 milionë e 379 mijë, ndërsa kanë humbur jetën nga ky virus mbi 556 mijë persona.

SHBA kryesojnë renditjen e pandemisë me më shumë 135 mijë viktima, e ndjekur nga Brazili, India dhe Rusia. SHBA regjistron rreth 55 mijë raste të reja Covid në 24 orë. Edhe pse numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Amerikë ka shkuar mbi 3.3 milionë persona, presidenti i vendit Donald Trump tha se SHBA është shumë në gjendje të mirë.

Trump ka kritikuar edhe ekspertin e sëmundjeve infektive në Amerikë, Anthony Fauci, duke thënë se “paralajmërimet e tij nuk janë të mira, pasi SHBA është në gjendje stabile”. Trump madje tha se për situatën e koronavirusit “nuk dëgjoj as ekspertët e mi”, raporton Guardian.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë Italiane, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar 12 viktima nga koronavirusi, për një total prej 34926 që nga fillimi i emergjencës shëndetësore. Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 338 ndërsa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 193 978. Autoritetet e shëndetësisë raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 229 raste të reja pozitiv për një total prej 242.363. Aktualisht pozitivët në Itali janë 13 459, 136 më pak se dje.

Tokio konfirmoi sot 224 raste Covid-19, një rekord i infeksioneve të identifikuara brenda një dite të vetme, duke arritur në 200 raste ditore 1për herë të parë që nga 17 prilli kur u regjistruan 206 pozitivë me koronavirus. Në total, numri i personave të infektuar nga Covid-19 në kryeqytetin japonez tani është 7272, ndërsa në nivelin kombëtar ka më shumë se njëzet mijë dhe numri i vdekjeve është 980.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Francë ka shkuar në 29.965. Më shumë se 1.7 milion të prekur dhe rreth 68 mijë viktima raportohen nga infeksioni Covid në Brazil.

Nga fqinjët tanë, Greqia raportoi 50 të infektuar 24 orët e fundit, ndër të cilët 27 ishin të ardhur. Me 193 të vdekur dhe 3672 të infektuar, Greqia është vendi më pak i prekur i BE.

Në Maqedoni sot u raportuan 166 të infektuar dhe 3 të vdekur. Në total janë 362 viktima dhe 7572 të prekur.

Mali i Zi shënon rritje me 59 të infektuar dhe 2 të vdekur duke e çuar në 19 numrin total të viktimave dhe 1019 të të prekurve.

Kosova raportoi sot më 10 korrik 207 raste të reja dhe 8 viktima që e çojnë në 94 numrin total të jetëve të humbura. Ndërsa të infektuar janë 4307 njerëz.