Transmetuar më 08-07-2020, 20:07

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, lidhur me procesin e  negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duket se ka marrë një vendim që mund të jetë jo i preferuar, për të ardhmen tonë, në Europë.

Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës gjermane në Parlamentin Europian, kancerlarja gjermane i është referuar mundësimit të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me të dyja vendet si objektiv gjatë këtij gjashtëmujori.

Por ndryshe nga Maqedonia e Veriut, mbi negociatat me BE teksa i është referuar kësaj etape me Shqipërinë, Merkel ka artikuluar fjalët, “nëse është e mundur”.

“Një nga tre objektivat e politikës së jashtme gjatë presidencës tonë ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor. Lidhur me konferencat e anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë, si dhe progresin për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të ofrojmë një perspektivë anëtarësimi”, tha Merkel.

Fiksimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut duket i mundshëm në 10 nëntor gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian, sipas kalendarit të përkohshëm të Këshillit të Bashkimit Europian.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut kishte vetëm Francën kundër gjatë tetorit të vitit të kaluar, kur u diskutua çelja e negocitiave, ndryshe nga Shqipëria, që pati kundër edhe vende të tjera si Holanda, Danimarka, sikurse abstenuan Spanja etj.

Ishte Austria e më pas Italia ato që nuk pranuan tetorin e kaluar që Maqedonia e Veriut të ndahej me Shqipërinë, duke bllokuar edhe vendimin pozitiv për vendin fqinj. Por duket se vendet skeptike me Shqipërinë nuk kanë ndryshuar qëndrim, çka ka sjellë paralajmërimin e Gjermanisë zyrtare, se në mbledhjen e ardhshme, vendimi mund të jepet veç për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fiksimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë ka shumë pak gjasa të ndodhë gjatë presidencës gjermane, nisur nga kushtëzimi i rreptë i vendimit të muajit mars nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

/NOA.al