Transmetuar më 08-07-2020, 19:08

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka nisur fushatën. Ajo ka zhvilluar sot një takim me gra e vajza në njësinë nr.7 të Tiranës", takim i organizuar nga Lëvizja e Gruas për Integrim.

Në prag fushate, Kryemadhi ka pasur në fokus të takimit shqetësimet dhe problemet e grave, teksa ka shpalosur alternativën e LSI në mbështetje të gruas shqiptare.

"Së bashku me Klajdën dhe Erisën zhvilluam një takim me gra dhe vajza në njësinë administrative nr.7 në Tiranë, të organizuar nga Lëvizja e Gruas për Integrim, për të dëgjuar shqetësimet dhe problemet e tyre në këto kohë të vështira, si dhe për të shpalosur alternativën e LSI në mbështetje të gruas shqiptare", tha Kryemadhi lidhur me këtë takim.

Ajo u shpreh se gratë dhe vajzat po vuajnë më shumë nga keq-qeverisja e kryeministrit Edi Rama.

"Gratë dhe vajzat janë të parat që vuajnë pasojat e keqqeverisjes dhe ndjejnë peshën e rëndë të papunësisë, diskriminimit, dhunës, pamundësisë për të arsimuar fëmijët dhe për të patur një shëndetësi që i shërben familjes së tyre!", shtoi Monika Kryemadhi.

Ajo tha se, LSI ka në qendër të programit të saj fuqizimin ekonomik të gruas nëpërmjet krijimit të mundësive të punësimit, trajnimit profesional, mbështetjes së grave në sipërmarrje.

"Problemet tuaja përkthehen në programin tonë! Zëri juaj është udhërrëfyesi ynë!", ishte mesazhi që dha kryetarja e LSI para vajzave dhe grave të pranishme në takimin e sotëm.

/NOA.al