Transmetuar më 08-07-2020, 09:30

Presidenti Ilir Meta thotë se çdo 8 korrik, kombi shqiptar nderon me respekt e mirënjohje kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të Dëshmorëve të Batalionit “Atlantiku”, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, nderin e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Ndonëse kanë kaluar 21 vite nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz! Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë”, shkruan kreu i shtetit.

Ai shton se vëllezërit Bytyçi me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, që sollën Kosovën e lirë e të pavarur, do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja, duke nënvizuar se liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.

Meta shpreh mirënjohje ndaj diasporës sonë në SHBA për kontributin e shkëlqyer të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare ndër dekada, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve tona, për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.

“Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës, si dhe të mbarë kombit tonë!”, thotë në mbyllje Presidenti. /a.y/noa.al