Transmetuar më 07-07-2020, 20:41

Ka përfunduar pas rreth një ore takimi i kryeministrit Edi Rama me opozitën parlamentare për Reformën Zgjedhore. Duket se palët nuk kanë arritur në një marrëveshje.

Rudina Hajdari pas takimit tha se nuk do të tërhiqemi, derisa të ketë një vendim për hapjen e listave.

Ajo tha se gjatë mbledhjes pati diskutime, por nuk u morën vendime.

"Jemi 29 deputetë në Kuvend që do kushtëzojmë votën", tha Hajdari, nëse maxhoranca nuk pranon për hapjen e listave.

Lidhur me kërkesat që u shtruan në tryezë përfaqësuesit e opozitës së re, kryeministri Rama u shpreh, pas mbledhjes se nëse i plotësëojmë ato, "kemi një konflikt për marrëveshjen me PD dhe LSI", duke iu referuar marrëveshjes që u arrit më 5 qershor.

Rama tha se të gjitha palët duhet të lëshojnë, për një marrëveshje përfundimtare.

"Kemi një konflikt në themel që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën sigurisht që mund të zhvillojmë më tutje procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim," –  tha Rama.

"Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë të hapjes së listave, të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus tre palësh", shtoi ai.

"Në një konsensus trepalësh askush nuk do marrë gjithçka që dëshiron, të treja palët do të duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por e rëndësishme është që të gjithë të kenë zë në proces".

"E para kemi nevojë për një maxhorancë te gjerë në Kuvend, që është shumë përtej asaj që kemi. Unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë se për këta që janë brenda, por askush nuk ka as monopol e privilegje", tha kreu i qeverisë.

"Sot është e vërtetë që një shumicë dërmuese e qytetarëve duan të kenë më shumë zë në proces, kjo është më se e qartë dhe ne e kemi sfidë të jemi pasqyrë ku reflektohen dëshirat e njerëzve dhe në një proces ku ne jemi të vendosur të ecim kështu siç jemi, ka shumë rëndësi zgjerimi i aleancës me njerëzit. Kjo bëhet duke i përfshirë më shumë në vendimmarrje, por marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetë aktualë të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë që duhet ta kapërcejnë."

"Nuk mund t’i kthehemi marrëveshjes, është një lëshim shumë i madh që i kemi bërë PD dhe këtë ne duhet ta mbajmë, ndërkohë që për të zgjeruar më tutje procesin, miqtë e opozitës parlamentare duhet të mirëkuptojnë ato joparlamentare”, tha Rama

PS ka arritur marrëveshjen me opozitën jashtë Kuvendit, por për miratimin e saj nevojiten edhe votat e deputetëve të opozitës së re.

Kërkesa e opozitës së Kuvendit për takim me kryeministrin u bë dje nga deputeti Myslim Murrizi dhe Edmond Stojko, me argumentin se nuk morën përgjigje në takimin e parë për kërkesat e tyre.

Opozita parlamentare janë shprehur se nuk do ta votojnë marrëveshjen e arritur mes palëve në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, nëse nuk plotësohen kushtet e tyre, listat e hapura, rritje të pragut elektoral në 5 % dhe ndalimi i koalicioneve.

Ky ishte takimi i dytë i kryeministri Edi Rama me përfaqësues të opozitës parlamentare, pa arritur ende në një marrëveshje me ta./NOA.al