Transmetuar më 07-07-2020, 14:22

Konfiskohen tri llogari bankare të një 66-vjeçari, me vlerë 140 milionë lekë të vjetra, të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fier, pas një hetimi disamujor, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Fierit për vendosjen e konfiskimit të tre llogarive bankare të shtetasit Lako Levani, 66 vjeç, banues në Fier, llogari bankare që arrinin shumën 140 milionë lekë.

Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për të dyshuarin, pasi është subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën djali i tij, shtetasi Artan Levani, është dënuar në Itali.

Aktualisht vijojnë hetimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe të personave të tjerë të lidhur me të. /a.y/noa.al