Transmetuar më 07-07-2020, 13:43

Kryedemokrati Lulzim Basha ka diskutuar sotë me mjekët dhe specialistë të fushës, lidhur me përhapjen e koronavirusit në vend.

Basha thotë se me dhjetëra ankesa vijnë nga familjarë, të cilëve iu është identifikuar një pjesëtar si i infektuar, ndërsa atyre nuk u bëjnë tamponin, duke zgjeruar kështu zinxhirin e infeksionit.

Sipas tij, dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim dhe se sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me Covid-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike.

Basha thotë se vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qendrat shëndetësore dhe se përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me Covid-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme.

Kryedemokrati deklaron se virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo dhe se Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve.

“Karantina tre mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve. Dështimi i kësaj politike të papërgjegjshme demonstrohet në numrin gjithnjë e më në rritje të të prekurve, të atyre që ndërrojnë jetë dhe të spitaleve që janë kthyer në vatra infeksioni. Mjekët, heronjtë e vërtetë të kësaj beteje, janë viktimat e kësaj papërgjegjshmërie ekstreme”, shprehet Lulzim Basha.

Ai shton se viktimat e “makutërisë së qeverisë” janë shqiptarët, të cilët po vuajnë sot sa pasojat e Covid-19, aq edhe “Ramavirusin” në ekonomi.

Basha lishtoi më tej se opozita ka që në mars që presim përgjigje për këto pyetje:

– Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre?

– Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit?

– A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira?

– A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese?

Ndër të tjera thotë se sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit dhe se situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike.

“Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga Covid-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme. E gjithë vëmendja dhe kujdesi i qeverive të përgjegjshme sot në botë është fokusuar tek menaxhimi i situatës shëndetësore dhe ekonomike dhe parashikimi e shtimi i kapaciteteve. Vetëm qeveria e Edi Ramës e ka mendjen tek tenderat e PPP korruptive, për të cilat vazhdon të japë fonde, duke i lënë shëndetësinë dhe shqiptarët të vetëm përballë virusit dhe krizës ekonomike”, deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha. /a.y/noa.al