Transmetuar më 07-07-2020, 11:46

Qyteti i Elbasanit është kthyer në vatër të nxehtë koronavirusi, për shkak të infektimeve të fundit.

Nga testimet e kryera së fundmi, kanë rezultuar të prekura nga Covid-19, katër infermiere në maternitetin e Elbasanit.

Kjo ka bërë që të mbyllet reparti i gjinekologjisë, ndërkohë që po kryhen tamponë në radhët e stafit, për të zbuluar se deri ku është shtrirë zinxhiri i infektimIT.

Dyshohet se virusi mund të jetë përcjellë nga ndonjë vizitor në maternitet, i cili ka shkuar për të takuar familjarn e shtruar, ndërkohë që vijon hetimi epidemiologjik.

Sakaq po në Elbasan është prekur edhe një punonjës i policisë Rrugore.

Efektivi është karantinuar në banesë, në gjendje të qëndrueshme, ndërkohë që vijojnë testimet e kontakteve të tij.

Aktualisht vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 81 pacientë në spital, mes tyre edhe mosha të reja. 7 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 2 të tjerë janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Në vendin tonë janë shënuar deri më tani 81 viktima dhe aktualisht janë 1213 persona aktivë me Covid-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 477; Durrës 221; Shkodër 167; Vlorë 115; Lezhë 63; Fier 49; Korçë 30; Elbasan 25; Kukës 24; Berat 16; Gjirokastër 15 dhe Dibër 11. /a.y/noa.al

Vijojnë shifrat e larta të infektimeve, 74 raste të reja në orët e fundit, dy viktima