Transmetuar më 07-07-2020, 09:47

Një operacion i policisë së Elbasanit i koduar “Xibraka” ka vënë në pranga një person, të kapur me 33 kilogramë lëndë narkotike në makinë.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një person po transportonte një sasi lënde narkotike, uniformat blu organizuan dhe finalizuan operacionin, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i A. S., 47 vjeç, banues në Fier.

I dyshuari u kap në fshatin Xibrakë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe gjatë kontrollit të mjetit tip “Fiat” që drejtonte, specialistët për hetimin e narkotikëve, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ndërkohë lidhur me këtë rast, materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. /a.y/noa.al