Transmetuar më 06-07-2020, 19:10

Një autobus ka përplasur një të ri, i cili po kalonte me biçikletë në vijat e bardha, në rrethana të paqarta, duke e lënë atë të plagosur rëndë, madje mbeti i shtrirë për 30 minuta në rrugë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes denoncuara nga dy vajza që ndodheshin rastësisht aty, tregonin sesi njerëz të shumtë e kureshtarë janë mbledhur, ndërsa makinat vazhdojnë qarkullimin normalisht.

Aksidenti ndodhi përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, në hyrje anash 15 katëshit, kur i riu është përplasur nga urbani.

Dëshmitarët nga vendngjarja thanë se urbani me targa “AA 829 YG” ka shkelur semaforin e kuq, ndërsa përplasja ka qenë aq e fortë sa e ka hedhur djalin e ri në ajër.

Ndërkohë policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes, ka pritur ambulancën, por nuk ka ndaluar qarkullimin.

I riu i aksidentuar ka qëndruar në rrugë, ku shihet edhe gjendja e tij e rëndë dhe njollat e gjakut, teksa mbeti i shtrirë deri sa erdhi ambulanca.

Dëshmitarët të revoltuar thanë se ambulanca erdhi në vendin e ngjarjes pas 30 minutave.

Policia lidhur me aksidentin, tha se rreth orës 18:35, në rrugën “Dedë Gjo Luli”, mjeti autobuz me drejtues F.G., ka aksidentuar biçiklistin, shtetasin e mitur me iniciale G.R., 17 vjeç, i cili ndodhet ​ në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor dhe sherbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

/NOA.al