Transmetuar më 06-07-2020, 11:06

Presidenti Ilir Meta reagon pas konfirmimit të viktimës së dytë në radhët e bluzave të bardha si pasojë e koronavirusit.

Kreu i shtetit thotë se ndarja nga jeta këtë mëngjes e doktor Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian! Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga Covid-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik”, shkruan Meta.

Ai thotë se çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.

Presidenti bën thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

“Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike”, deklaron kryetari i shtetit. /a.y/noa.al

Vijojnë shifrat e larta të infektimeve, 71 raste të reja në 24 orë

Koronavirusi merr tre jetë në orët e fundit, një mjek dhe dy qytetarë