Transmetuar më 06-07-2020, 10:58
Foto ilustruese

Situata e infektimeve dhe viktimave prej koronavirusin, vijon të paraqitet e rënduar.

Ministria e Shëndetësisë raportoi ditën e sotme se trendi i shtuar i rasteve të konfirmuara me Covid-19 ka vijuar dhe gjatë javës që lamë pas, por njëkohësisht epidemia ka paraqitur një numër më të lartë të rasteve që janë hospitalizuar dhe të rasteve që kanë humbur jetën.

Deri më tani ka shkuar në 79 numri i viktimave prej Covid-19 dhe në 2964 i rasteve të të prekurve.

Në 24 orët e fundit tre qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv.

Viktimat e tjera janë qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë.

Situatë e rënduar paraqitet në spitalin infektiv ku 9 pacientë ndodhen në gjendje të rëndë.

Në spitalin Intensiv ndodhen 78 pacientë të shtruar, 9 në terapi intensive dhe dy prej tyre në intubim.

Nga 459 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 71 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier.

Ndërkohë në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive Tiranë 453; Durrës 213; Shkodër 168; Vlorë 116; Lezhë 64; Fier 48; Korçë 31; Kukës 25; Elbasan 24; Berat 16; Gjirokastër 15 dhe Dibër 10. /a.y/noa.al

Vijojnë shifrat e larta të infektimeve, 71 raste të reja në 24 orë

Koronavirusi merr tre jetë në orët e fundit, një mjek dhe dy qytetarë