Transmetuar më 06-07-2020, 09:00

Koronavirusi i merr jetën mjekut të dytë në Shqipëri, pas ndarjes nga jeta pak ditë më parë të Arjan Pushit.

Ministria e Shëndetësisë njofton darjen nga jeta këtë mëngjes të doktor Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e stafit të infektivit për kolegun e tyre.

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Luftonte prej disa ditësh me Covid-19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve.

"Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij. Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim", deklaron ministria. /a.y/noa.al