Transmetuar më 06-07-2020, 01:00

Refija ishte fqinje me familjen Josifi. Dera e shtëpisë të të moshuarës është ngjitur me derën e mbyllur brenda të cilës banonte Zhaneta, Anisa, të dyja të vdekura dhe Blerta e mbijetuar.

“Nuk dëgjohej as zhurmë asgjë, filloi një erë, që nuk ikte. Mendonim tubacionet”, tregon për gazetën “Si” gruaja që jeton me të birin dhe nusen.

E moshuara shton se muajt e fundit familja nuk ndizte as drita, pasi “asgjë nuk dukej, i kishin mbyllur me grila dritaret e banjës, të ballkonit, çdo gjë”. Madje edhe ditën kur policia ndërhyri për të parë se ç’po ndodhte në familjen Josifi, pas ankesës së një të afërmi, ata kërkuan prozhektorë me drita, sepse energjinë elektrike e kishte ndërprerë OSHEE.

Fqinjët edhe pse ishin mësuar me ngujimin mëse njëvjeçar të nënës me dy vajzat, për ta vazhdon të mbetet e vështirë për tu besuar që gratë kishin vendosur të vetëflijoheshin. “Shikoja shpesh të motrën, vinte qante dhe trokiste. Ato herë ia hapnin derën, herë jo”, kujton gruaja.

Shpesh të afërmit i ishin drejtuar policisë të bindur se diçka i kishte ndodhur njërës prej vajzave që prej mëse një viti nuk dukej askund.