Transmetuar më 03-07-2020, 22:50

Opinionisti Mustafa Nano në monologun e kësaj jave ka komentuar ngjarjen e rëndë dhe të paprecedentë të ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku nëna dhe një nga vajzat e saj janë vetëflijuar, ndërkohë në gjendje të rëndë ndodhet vajza tjetër.

Nano ka theksuar se nëna dhe vajzat e saj ishin Dëshmitare të Jehovait, një sekt fetar ku besimtarët janë si të gjithë besimtarët e feve të tjera.

“Besimi i Dëshmitarëve të Jehovait nuk e inkurajon vetëvrasjen, përkundrazi, thuhet qartë se vetëvrasja është vrasje. Domethënë është e dënueshme. Mirëpo nga ana tjetër dihet se vetëvrasjet brenda bashkësisë së Dëshmitarëve të Jehovait janë të shumta. Janë deri në dhjetë herë më të mëdha sesa vetëvrasjet në përgjithësi”, u shpreh Nano.

"Shikoni, unë jam ateist. Të shumtët e ateistëve besojnë se një botë pa fetë e pa besimtarët do të ishte një botë më e mirë", thotë ai.

Gjithashtu ai thekson se problem në të gjithë këtë është mënyra e ethshme dhe e ankthshme se si ata e jetojnë besimin e tyre, është padurimi me të cilin presin fundin e botës, që ata e lidhin me momentin kur instalohet mbretëria e Zotit, në tokë e në qiell.

Monologu nga Mustafa Nano:

Dje u gjendën në një shtëpi në Kombinat nënë e bijë pajetë dhe një e tretë në një gjendje të rëndë. Njëra prej viktimave kishte dy javë që kishte vdekur dhe dy të tjerat prisnin që të ringjallej. Ato ishin të trija Dëshmitare të Jehovait. Është rasti këtu për të thënë diçka për këtë sekt fetar. Dëshmitarët e Jehovait nuk është se janë besimtarë të veçantë. Janë besimtarë si gjithë besimtarët. Ata besojnë se kjo botë është e ndyrë, e komanduar nga satanai e nga ushtria e madhe e djajve, se të gjitha fetë me përjashtim të së tyres, janë mashtrime, se drejtësia e vërtetë do të vihet pas Armagedonit, apokalipsit që ata presin të ndodhë nga dita në ditë, mund të ndodhë edhe tani, që unë po flas (t’i lutemi Jehovait të mos ndodhë!), se për të zënë një vend në parajsë nuk mjafton me qenë Dëshmitar i Jehovait, por duhet me qenë një dëshmitar i përkryer i Jehovait, etj, etj. Ja, këto besojnë ata, e këto thonë kur shkojnë derë më derë. Kur ua hapin dyert, kuptohet. Sepse ka ca që me t’i parë, ua mbyllin derën në fytyrë.

E dini më të bukurën? Besimi i Dëshmitarëve të Jehovait nuk e inkurajon vetëvrasjen, përkundrazi, thuhet qartë se vetëvrasja është vrasje. Domethënë është e dënueshme. Mirëpo nga ana tjetër dihet se vetëvrasjet brenda bashkësisë së Dëshmitarëve të Jehovait janë të shumta. Janë deri në dhjetë herë më të mëdha sesa vetëvrasjet në përgjithësi. Me fjalë të tjera, nëse në 1000 pelegrinë të Shna Ndout apo haxhilerë myslimanë, është vetëm një që vret veten, në 1000 Dëshmitarë të Jehovait janë 10 vetë që vrasin veten.

Atëherë, si t’i puqim këto dy fakte? Shumë kollaj. Nuk është ndonjë parim i veçantë i besimit të Dëshmitarëve të Jehovait që e ka shkaktuar këtë gjë. Është besimi në përgjithësi. Është besimi i përjetuar me devocion, përkushtim, shpirt sakrifice. Ata përndiqen gjithë kohën nga ideja se nuk janë në lartësinë e njeriut që kërkon Jehovai, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të qenë në atë lartësi. Ata përndiqen nga ideja se çfarëdo që të bëjnë e sido që të sillen, Jehovai do të jetë gjithsesi i pakënaqur prej tyre. Shkurt, është efekti i fesë. I fesë që përjetohet 24 orë non stop si qëllim i vetëm i jetës, si një makth, si një obsesion, si një burim i vazhdueshëm frustracioni.

Shikoni, unë jam ateist. Të shumtët e ateistëve besojnë se një botë pa fetë e pa besimtarët do të ishte një botë më e mirë. Por unë nuk jam i sigurt për këtë. Nuk e përjashtoj të jetë e kundërta. Mendoj shpesh se njerëzit kanë nevojë për fetë edhe pse, madje pikërisht sepse ato janë përralla. Fetë në një numër të madh rastesh, i disiplinojnë njerëzit, u vënë fre pulsioneve e ngasjeve të tyre të liga, i bëjnë të jetojnë me frikën se nëse bëjnë mëkate, do t’i kenë punët keq në botën e përtejme që është edhe e përjetshme. Dhe kështu fetë kanë mbi njerëzit besimtarë atë efekt përfrikësues e shkurajues që nuk e ka mbi ta asnjë autoritet laik mbi tokë. Dhe ky fakt mund t’i bëjë fetë një faktor pozitiv në jetën sociale.

Por fetë nuk janë vetëm kaq. Fetë janë medalje me dy anë. Në to ka mesazhe që janë të mira, të lezetshme, por ka edhe mesazhe që janë broçkulla. Pastaj, ok, është mirë që fetë u bëjnë thirrje besimtarëve të mos bëjnë mëkat, por puna është se shpesh herë mëkatin e përkufizojnë në mënyrë të çuditshme. Quajnë mëkat të vjedhësh e të vrasësh dhe kjo është ok, por quajnë mëkat edhe veprime e sjellje humane që janë krejt të pafajshme. Për shembull, në fenë hebraike është mëkat i madh edhe të punosh në ditën e pushimit dhe kush sheh dikë që punon në ditën e pushimit mund ta vrasë atë. Për myslimanët, sipas doktrinës së tyre, sipas Kuranit, është mëkat të jesh mik me një që është i fesë së krishterë. Katolikët quajnë mëkat përdorimin e prezervativit. Ndërsa Dëshmitarët e Jehovait, përveçse i quajnë mëkate të gjitha këto, i ruhen një mëkati më të madh, mëkatit të të mos qënit i aftë të bëjnë jetën e përsosur sipas standardit që ka vendosur Jehovai.

Është ky mundim e sfilitje e fundit shkaku i vetëvrajseve. Përsëris: problem është mënyra e ethshme dhe e ankthshme se si ata e jetojnë besimin e tyre, është padurimi me të cilin presin fundin e botës, që ata e lidhin me momentin kur instalohet mbretëria e Zotit, në tokë e në qiell.

/NOA.al