Transmetuar më 03-07-2020, 21:43

Ekspertët që kanë shqyrtuar të dhënat gjatë pandemisë së koronavirusit kanë vërejtur se vendet që kanë patur shpërthime të fruthit kohët e fundit, kanë më pak vdekje dhe më pak pasoja serioze nga koronavirusi. A është kjo rastësi? Apo ka diçka në lidhje me vaksinën për fruthin, shytat dhe rubeolën që të mbron nga prekja më e rëndë nga koronavirusi?

Vitin e kaluar, kur fruthi përfshiu Samoan, punonjësit e shëndetësisë shkuan derë më derë me vaksinat e fruthit, shytave dhe rubeolës dhe vaksinuan 90 përqind të popullsisë, të rinj dhe të moshuar me vaksinën MMR.

Pastaj koronavirusi filloi të përhapej nëpër botë, por çuditërisht, Samoa në Oqeanin Paqësor nuk ka asnjë rast me COVID-19.

Madagaskari, Hong Kongu dhe Koreja e Jugut gjithashtu patën shpërthime të fruthit kohët e fundit dhe kryen fushata të fuqishme vaksinimi. Ata kanë nivele më të ulëta të COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Në Shqipëri vaksina MMR u bëhet dy herë fëmjjëve, në moshën 1 vjeç dhe 5 vjeç.

Jeff Gold i Organizatës Botërore analizon shifrat. "Ekziston një lidhje e qartë midis vaksinimit të fruthit, shytave dhe rubeolës dhe popullatës që kanë imunitet më të madh nga COVID-19".

Gold evidenton vendet me nivele të ulëta të vaksinimit për fruthin dhe thotë se gjeti të kundërtën e vendeve ku ishin bërë vaksina.

"Italia ishte një nga vendet më pak të vaksinuara me vaksinën MMR në vitin 2002, me nën 80%, më pas vjen Britania, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe pastaj Gjermania".

Të dhënat e zotit Gold tregojnë se aty ku të rriturit janë vaksinuar me vaksinën MMR, ata ishin shumë më pak të prekshëm nga koronavirusi sesa homologët e tyre në vendet e tjera.

Një studim në Universitetin e Kembrixhit zbuloi se është pjesa e ilaçit të rubeolës në vaksinën MMR ajo që duket se siguron imunitetin.

Shkencëtarët në disa vende po e studiojnë këtë teori. Një studim i fëmijëve refugjatë sirianë në një prej kampeve në Turqi tregoi se ata kishin gjashtë herë më pak të ngjarë të shtroheshin në spital me COVID-19 sesa shtetasit turq.

Studiuesi turk, Dr. Ramazan Okyay thotë se nevojiten studime më të zgjeruara.

"Duhet të bëhet një studim me njerëz që e kanë marrë vaksinën MMR, përveç fëmijëve, si emigrantë, ushtarë, udhëtarë dhe ti krahasojmë ato me një grup të ngjashëm të rriturish që nuk kanë bërë vaksinën MMR", thotë dr. Okyay.

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjes infektive në SH.B.A., thotë se gjithçka që njerëzit mund të bëjnë për të përmirësuar shëndetin dhe për të mbrojtur veten nga një sëmundje ia vlen të bëhet, veçanërisht gjatë një pandemie.

"Ekziston teoria se nëse vaksinoni dikë me një vaksinë të efektshme kundër, le të themi, fruthit, kjo do t’ju jepte mbrojtje – gjithashtu kundër koronavirusit. Kjo është një teori që nuk është vërtetuar përfundimisht".

Hulumtuesit shpresojnë që studimet e tyre mund ta vërtetojnë këtë lidhje.

Nëse është e vërtetë, vaksina e fruthit, shytave dhe rubeolës mund të përdoret gjerësisht në botë pa prova të mëtejshme, sepse është e sigurt dhe e disponueshme. Shpresa është se mund të na mbrojë derisa të kemi një vaksinë kundër COVID-19.