Transmetuar më 03-07-2020, 12:06

Kryeministri Edi Rama në konferencën me homologun Avdullah Hoti, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, e quajti turp për Bashkimin Europian mos liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Është një turp për BE-në që sot mban peng një popull, i vetmi i marrë peng në kontitentin tonë, që ndalohet të lëvizë lirisht. Si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet para se të marrë liberalizimin e vizave. Arsyeja nuk gjendet në Kosovë, apo në ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet, ato janë përmbushur dhe janë njohur nga vetë KE! Arsyeja është në Europë, në politikën e brendshme të BE-së, vendeve të ndryshme, që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave qeverisëse”, u shpreh Rama.

Sipas tij, turp është që Kosova nuk lëviz e lirë.

Më tej tha se me Hotin, kanë diskutuar lidhur me zbatueshmërinë sa më parë të disa marrëveshjeve kyçe.

Ai bëri me dije se sot është folur për doganën e Kosovës në Durrës dhe se në parim është dakordësuar, por në zbatim ende nuk është e plotë.

“Ajo që Hoti ka ngritur në bisedë përbën thelbin e marrëveshjes, jo një stacion i parë, i pasuar nga një i dytë kontrolli në Morinë, por një i vetëm në Durrës, ku hyrja e mallrave për në Kosovë nga pikëpamja juridike duhet të trajtohet si hyrje në Kosovë kur mallrat zbarkohen në Durrës. Në duhet një detajim deri në fund i marrëveshjes për të mos lejuar që burokracia apo interesa të caktuara të mos e lejojnë. Po ashtu njësimin e dokumentacionit lidhur me mallrat që eksportohen apo importohen mes dy vendeve, e pamundur nëse nuk arrijnë dy palët në nivelin teknik të kenë gjuhë të njësuar teknike. Mos vazhdojmë të kërkojmë ne në Shqipëri eksportuesve të Kosovës të kenë dokumente edhe të Shqipërisë, por një dokument të jetë i vlefshëm për të dyja vendet për eksportuesit apo importuesit. Në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejt, shengeni rajonal mbetet një program ku shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin interesin e tyre strategjik”, u shpreh Rama.

Ai tha se nëse futemi bashkë në kornizën e shengenit rajonal mund të hapim kufirin pa asnjë kontroll për njerëzit.

Rama deklaroi se në fushën e energjisë duhet të kujdesemi që ta zgjidhim afat gjatë këtë, duke konsideruar ndërtimin e një HEC në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji Kosovë.

“Lidhja e dy kryeqyteteve tona me hekurudhë. Është një projekt i hershëm, por ka ardhur koha të zbatohet. Në vjeshtë të këtij viti mund të gjenden fondet konkrete për të realizuar këtë projekt”, tha kreu i qeverisë./a.y/noa.al

Rama në konferencë me Hotin: Mbledhja e dy qeverive, në shtator

Pallati Brigadave – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti🇽🇰🇦🇱

Publiée par Edi Rama sur Vendredi 3 juillet 2020