Transmetuar më 30-06-2020, 14:50

Në konferencën për mediat pas vizitës dy ditore në Kosovë, Kryeministri Edi Rama e cilësoi akt-akuzën e Hagës për krime lufte, ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli si fletë- rrufe të ngjashme me ato publike gjatë revolucionit kulturor kinez.

Rama e cilësoi si të pashembullt, për shkak edhe të momentit t publikimit të saj.

“Publikimi i arsyeshëm apo i qëllimshëm në prag të një takimi me rëndësi në Shtëpinë e Bardhë, nuk e di. Takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm, një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e SHBA-së. Të jesh në pozicionin që jam unë, është privilegj dhe të jepet mundësia të kontribuosh për atë çka ishte dhe është vlera historike e UÇK-së”, u shpreh Rama.

Ai tha se ky është moment i një krizë disaplanëshe "të shkaktuar nga kjo fletërrufe", por edhe një mundësi të madhe për të vënë në pah jo thjeshtë vlerat e luftës dhe të vërtetën, se Kosova ishte viktima jo agresori.

Nga ana tjetër Kryeministri shqiptar tha se ka gjithmonë një kohë për t’u përleshur me njëri tjetrin për ide, bindje, politikë, “por se ky është një moment për t’u bashkuar shqiptarët, me njëri tjetrin për historinë tonë”.

Sipas tij, Shqipëria nuk e ka marrë përsipër detyrën e kujdestarit, apo tutorit që nga larg i tregon udhëheqësve në Kosovë se çfarë duhet të bëjë.

“Unë nuk erdha këtu për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë por për të dëgjuar nga të gjithë, dhe këtë s’mund ta bësh në një tryezë ku mund të ulen të gjithë, hapur opinionet e tyre. Pas 24 orësh di më shumë sesa para 24 orësh për situatën. Janë opinionet e një vëllai që jeton në shtëpi tjetër. Jemi vëllezër, por kemi dy shtete, dy shtëpi”, deklaroi Edi Rama./a.y/noa.al